Kampioni fle ne stacionin e trenit

Atleti i shkëlqyer gjerman, Robert Harting e festoi titullin olimpik në flakjen e diskut në mënyrë të jashtëzakonshme në pistë dhe jashtë saj. Megjithatë, mbrëmja e tij emocionuese u prish nga një episod, që e detyroi të flinte në tokë, në stacionin e trenit.
Fituesi i medaljes së artë në disiplinën e hedhjes së diskut, mahniti botën me forcën që shfaqi duke u shpallur kampion olimpik me distancën 68 metra e 27 centimetra.
Por, gjatë momenteve kur ai po festonte në pistë, i emocionuar edhe nga mbështetja e 80 mijë spektatorëve, dikush i ka vjedhur akreditimin, duke ia bërë të pamundur që të hynte në fshatin olimpik.
Pa e kuptuar atë që kishte ndodhur, Harting vazhdoi festën nëpër Londër dhe në orën 5 të mëngjesit vendosi të kthehej në Fshatin Olimpik, për tu qetësuar.
Por, për habinë e tij, akreditimi nuk gjendej në asnjë vend dhe personeli i sigurisë nuk e ka lejuar të futet në vendin e rezervuar për mbi 10 mijë atletët pjesëmarrës në Olimpiadë.
“Më grabitën ndërkohë që po festoja me tifozët e atletikës. Më humbën të gjitha akreditimet dhe e kisha të pamundur të hyja në Fshatin Olimpik”, shkruante atleti që tashmë njihet me epitetin “Hulk”, pasi gjatë festës grisi edhe uniformën.
Më tej, ai shtonte: “Isha i lodhur dhe në orën 6 të mëngjesit u detyrova të flija në tokë”. Gjithsesi, edhe pse e ka cilësuar jo të këndshme atë që ndodhi, Harting theksonte se kjo ishte një histori mjaft zbavitëse.
Ai arriti të kthehej në Fshatin Olimpik vetëm me ndërhyrjen e delegacionit të skuadrës olimpike gjermane, organizatorët i bën një akreditim i ri.