E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam nje legjende e gjalle

Pas paraqitjes së jashtëzakonshme të Usain Bolt në garën e 100 metrave, pothuajse askush nuk dyshonte te njeriu më i shpejt në botë në finalen e 200 metrave. Dhe gjithçka shkoi sipas parashikemeve. Bolt fitoi me kohën 19”32, duke lënë pas vetes dy xhamajkanët e tjerë, Johan Blejk dhe Uorren Ueir.
Me këtë triumf dhe katër medalje të arta olimpike në garat individuale, 25-vjeçari bëhet atleti i parë në histori që arrin të fitojë garat e 100 dhe 200 metrave në dy Olimpiada radhazi, pas sukseseve në Pekin 2008.
Bolt hyn në legjendë dhe ai është i vetëdijshëm për rezultatin e jashtëzakonshëm të regjistruar në Lojërat Olimpike “Londër 2012”
“U paraqita edhe në garën e 200 metrave për të fituar medaljen e artë dhe ia arrita qëllimit. Tashmë jam një legjendë... Ndihem atleti më i madh që jeton”, ishin fjalët e njeriut më të shpejt në botë.
Më tej, Bolt shtoi: “E jashtëzakonshme. Një podium i gjithi xhamajkan. Ishte një garë e shkëlqyer, vendi ynë duhet të ndihet krenar. Është diçka epike. Urime edhe Johanit dhe Uorrenit që më dhanë mundësinë ta festoj këtë moment me shokët e skuadrës”.
Në fund, sprintieri ka falënderuar Xhamajkën e tij, duke deklaruar se “është një gëzim” që përfaqëson atdheun, bëri një dedikim të veçantë për familjen dhe falënderoi trajnerin Glen Mills, duke e cilësuar të bekuar ditën kur ai hyri në jetën e atletit.
Ndërkohë, edhe populli xhamajkan festoi triumfin e Usain Bolt. Në sheshet në Kingston janë mbledhur qindra njerëz, që kanë brohoritur për fitoren e idhullit të tyre, por edhe për faktin se në podiumin e garës së 200 metrave kishte tre atletë xhamajkanë. Një moment i shkëlqyer për Xhamajkën, që e ka festuar gjatë këtë rezultat të jashtëzakonshëm në Londër 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›