Londer olimpiada e kafsheve
Kafshët në Kopshtin Zoologjik të Londrës janë përfshirë në frymën festive të Lojërave Olimpike, duke konkurruar edhe ato në disa evente. Krijesat kanë shijuar një “Olimpiadë” speciale për kafshët, të krijuar me qëllimin që të shpalosin të gjithë talentin e tyre.
Por, konkurrimi është krijuar edhe për të mos u lënë në hije nga mbreti i atletikës Usain Bolt, apo edhe legjenda e notit Majkëll Felps. E për të tërhequr sado pak vëmendjen nga këta dy emra mitik të sportit botëror, nuk kishte mënyrë më të mirë se ajo që edhe kafshët të tregonin potencialin e tyre atletik.
Gjatë dy javëve olimpike, një numër i konsiderueshëm personash kanë zgjedhur kopështin Zoologjik në kryeqytetin anglez si mënyrë argëtimi, duke vëzhguar konkurrimin e gjallesave të mbretërisë së kafshëve, të cilat kanë garuar për lavdinë sportive.
“Kemi këtu kafshë që posedojnë aftësi atletike dhe nëpërmjet organizimit të këtij evenimenti, po përpiqemi që aftësitë e tyre ti lidhim me entuziazmin e Olimpiadës. Shumë njerëz kanë ardhur për të ndjekur garat dhe duket se ata kanë mbetur të kënaqur nga Olimpiada e kafshëve”, tha Lusi Smith, një prej kujdestareve të gjallesave në Kopështin Zoologjik.
Mes kafshëve që konkurojnë në eventet e organizuara janë luanët, lundërzat, pinguinët, minjtë apo edhe bufët. Por, nëse në Olimpiadën e njerëzve atletët më të mirë shpërblehen me medalje, fituesit në Olimpiadën speciale të kafshëve shpërblehen me një vakt të shijshëm.