Blen armën me paratë e motorit të vjedhur
ELBASAN- Autori i krimit të plagosjes së njerkut të tij tre ditë më parë kishte disa precedentë për vjedhje dhe kanosje. Vetëm një javë më parë ai kishte blerë një pistoletë me paratë e motorit që kishte vjedhur dhe po kështu ndaj tij njerku tashmë i plagosur kishte bërë një denoncim pasi ishte kërcënuar me një automatik. Vetëm në fillim të gushtit Farka është proceduar nga policia pasi në dy gusht kishte kanosur me një automatik model 56 njerkun e tij Artur Bajrami. Pasi ishte denoncuar një herë për plagosje 44- vjeçari Bajrami është përballur sërish dhe këtë herë nuk i ka shpëtuar plumbit, i cili i ka depërtuar qafën por fatmirësisht pa prekur organe jetike. Burime nga policia bëjnë të ditur se Arben Farka kishte një sërë precedentësh për vjedhje dhe vetë, një javë më parë kishte vjedhur një motor, të cilin e kishte shitur për të blerë me paratë armën e krimit. Nga të dhënat e policisë autori i krimit të plagosjes kishte vjedhur banesën e shtetasit Esat Sula në lagjen “Beqir Dardha” po kështu edhe një motor në lagjen “Dyli Haxhire”. Të njëjtat burime konfirmojnë se pistoleta e quajtur “GRIZZLY” është blerë nga autori ditët e fundit dhe më pas është përdorur për krimin. Për 24 orë autori mundi t’i fshihet policisë duke u fshehur në banesën e shtetasit Agron Doda në fshatin Shushicë të rrethit të Elbasanit. Në vendin ku u kap autori u sekuestrua edhe arma e krimit dhe po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Dyshohet se 23 vjeçari është ndihmuar për krimin që kishte planifikuar të kryente. Ai do të akuzohet për vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.