E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, grup pune për të rregulluar funksionimin e inspektoratit

14/06/2010 Përplasjet mes inspektorateve, KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë kërkojnë ndërhyrje

Këshilli i Lartë i Drejtësisë miraton ngritjen e një grupi pune për të bërë ndryshimet e mundshme në rregulloren për organizimin dhe funksionimin e inspektoratit të saj. I ngritur si i tillë me qëllimin për të kontrolluar punën e gjyqtarëve si dhe të sekretareve gjyqësore pas ankesave të vazhdueshme që ka për gjyqësorin në tërësi, inspektorati ka edhe mosmarrëveshje të brendshme. Një nga mosmarrëveshjet që ka krijuar përplasje të herëpashershme është edhe mosgjetja e gjuhës me inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë. Prej vitesh mes dy institucioneve është hedhur debati se kush do të jetë pragu për të cilin duhet të punojnë dhe kujt duhet ti raportojnë. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar disa herë që puna mes dy inspektorateve të ndahet me qëllim që të mos ketë përplasje në përfundimin e hartimit të konkluzioneve. Ka pasur jo pak raste kur inspektorët janë ndeshur në gjykatë duke u urdhëruar të kontrollojnë të njëjtat dosje penale dhe civile. Por pavarësisht dosjeve të njëjta, mënyra e interpretimit dhe konkluzionet kanë qenë të ndryshme. Kjo nuk ka lidhje vetëm me kontrollet, por edhe më pas me kërkesat për të proceduar gjyqtarët. Në të shumtën e rasteve ka qenë Ministria e Drejtësisë ajo që ka bërë kërkesë KLD-së për procedimin e gjyqtarëve. Dhe tashmë është ministria që ka kërkuar të ketë kontrollin e plotë mbi gjyqtarët. Propozimi i ministrisë është që inspektorati i varur prej saj të kontrollojë dosjet e gjyqtarëve për shkelje, pasi të ketë marr ankesat e qytetarëve, ndërsa KLD-ja duhet të marrë në shqyrtim atë pjesë të ankesave që kanë të bëjnë me procedurën dhe vonesat. Në vendimin e saj KLD-ja shprehet se “Vendosi të ngrejë një grup pune për hartimin e ndryshimeve të mundshme në “Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, miratuar me vendimin nr. 195/2/a, datë 05.07.2006, ndryshuar me vendimin nr. 207/1, datë 07.02.2007 dhe të Rregullores për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”, miratuar me vendimin nr. 137, datë 21.02.2003, të përbërë nga anëtarët e Këshillit Artan Gjermëni, Edmond Islamaj dhe Neshat Fana. Grupi i punës do të ketë kohën e mjaftueshme për të kryer ndryshimet dhe në përfundim ato do ti paraqiten këshillit për miratim. Në rregulloren që pritet shumë shpejt të ndryshojë do të rishihet edhe numri i plotë i inspektorëve që duhet të punojnë në grup.

Përplasjet

Inspektorati i KLD-së kryen aktualisht të njëjtën detyrë që kryen edhe ai i Ministrisë së Drejtësisë. Por ndryshe nga njëri-tjetri, ata marrin detyrat nga eprorët e tyre dhe në përfundim konkluzionet iu dorëzohen po institucioneve të ndara. Raportet e përgatitura për gjyqtarët, ndonëse me objekt të njëjtë, kanë pasur përfundim të ndryshëm. Ndërkohë që ministria është shprehur se puna mes dy institucioneve duhet të jetë e ndarë përfundimisht.

Emërimet

KLD-ja është duke kontrolluar gjykatat e të gjitha rretheve gjyqësore. Inspektorët e saj janë shpërndarë nëpër rrethe dhe kanë marrë detyra për të kontrolluar ato dosje për të cilat kanë edhe ankesa më të shumta. Por në shumicën e rasteve përfundimet e KLD-së kanë dalë më të buta se sa ato që kanë nxjerrë inspektorët e ministrisë. Në KLD janë lexuar dy raporte dhe në përfundim është marr parasysh vetëm punë e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë.

Vendet bosh

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shpallën dy vende vakante për inspektor. Në vendim janë dhënë edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, si dhe fundi i aplikimit. Gjithkush që ka punuar për një periudhë pesëvjeçare në sistemin e drejtësisë ka të drejtën të aplikojë për inspektor. Ndërkohë që në KLD numërohet shifër e madhe e ankesave kundër gjyqtarëve dhe zvarritjeve të gjykimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›