Bleona dhe shokët, viktima të përpjekjeve për mbijetesë

Në zonat fshatare të Kukësit, veçanërisht në ato të thella, banorët jetojnë në skamje e mjerim ekonomik dhe të gjitha energjitë i shpenzojnë thjesht për të mbijetuar. Viktimat e para të një mundimi të vështirë janë fëmijët, të cilët angazhohen pothuajse në çdo punë të bujqësisë dhe blegtorisë, larg çdo zbavitjeje siç ndodh me moshatarët e tyre në qendrat urbane. A thua se ky fat u blatohet atyre që në lindje. I tillë është Zapodi me pesë fshatra 25 km larg qytetit të Kukësit, një komunë e cila u bë shumë e njohur pikërisht për ngjarjen e dhimbshme të humbjes pa gjurmë të Bleonës së vogël vetëm 6 vjeçe.
MajlindaNë fshatin Orçikël, 3 km para se të mbërrijmë në Zapod, janë pikërisht fëmijët që takojmë. Secili në punët e tyre të bujqësisë. Tek-tuk edhe ndonjë grua apo burrë. Aty banorët thonë se burrat dhe djemtë e rritur nuk qëndrojnë në fshat, ata marrin rrugët e mërgimit dhe kthehen vetëm në dimër. Majlinda është vetëm 9 vjeçe dhe ndihmon familjen duke bartur bar të thatë në gomar. Ajo është së bashku me nënën e vet, kjo e fundit jo shumë dashamirëse për aparatin fotografik, e cila kthen shpinën e frikësuar dhe largohet. Vërejta se Majlindës të paktën i kishte bërë privilegjin që rrugën deri të vendi i ngarkesës ta bënte e hipur në gomar. Vogëlushja e qethur si djalë tregon se e ndihmon familjen në çdo punë bujqësore dhe se këto punë i ka bërë edhe kur ka qenë më e vogël.
Kositësit e vegjëlNë një livadh të pjerrët përsëri takojmë disa fëmijë që kositin barin. Kositja është një punë tepër e lodhshme edhe për vetë burrat, madje në fshatrat e fushës thuhet se kositjen nuk e bën gjithkush, pikërisht sepse është një proces pune shumë i vështirë. Por Ramazani dhe Bekimi kanë mësuar të kositin që para dy-tre vitesh. “është një punë që e bëjmë me qejf. Lodhemi shumë, por kjo është puna jonë. E kush tjetër duhet ta bëjë?! Babai dhe vëllai i madh kanë shkuar në Maqedoni për të gjetur punë”, thotë Ramazani, i cili këto ditë mbaron klasën e tetë të shkollës nëntëvjeçare. Kositësi tjetër do të mbarojë sivjet klasën e nëntë dhe është diçka më i mbushur në trup. Ata janë kushërinj dhe tregojnë që tani po bëjnë plane se nga do t’ia mbajnë kur të mbarojnë shkollën. “Këtu djemtë si të bëhen 15 vjeç apo pak më shumë nuk mendojnë tjetër veç të ikin në emigracion. Nuk ka punë këtu”, thotë Bekimi. Ai shtoi se shkollës nuk ia bëjnë shumë hyzmetin, siç u shpreh ai. “Po ç’të bëjmë më parë, punët e bujqësisë apo të merremi me mësimet?! E mbarojmë shkollën ashtu..., por ndonjë edhe mëson, bëhet pastaj me shkollë dhe zë ndonjë shtëpi në Tiranë apo ku të mundet”, thotë adoleshenti kositës i barit. Në këtë fshat duket sikur edhe vetë prindërit kanë “frikë” t’u edukojnë fëmijëve idenë e shkollimit. “Si të bëhet djali apo vajza me shkollë nuk vjen më në fshat, këtu s’ka as rrugë e as perspektivë”, tha një prind 40-vjeçar i sapokthyer nga Maqedonia ku punon si emigrant. Por nuk janë vetëm këta që punojnë në këtë punë të vështirë, janë edhe më të vegjlit që ndihmojnë duke mbledhur barin. Mirdashi 7 vjeç, që sapo ka mbaruar klasën e parë, mbush krahun me bar për ta grumbulluar në një vend të caktuar, ku më të rriturit e vënë mullar. Mirdashi ka dëgjuar edhe për Bleonën e vogël, shoqen e tij. “Nuk e kam njohur, por kam dëgjuar për të, thonë se e kanë marrë dhe e kanë çuar në Maqedoni”, shprehet vogëlushi, që ka dëgjuar kushedi se çfarë trillimesh nga të rriturit për të mos e frikësuar.
FrikaNë Zapod, që nga dita e humbjes së Bleonës të gjithë sikur kanë frikë. Frikë nga gjithçka, nga ndonjë e keqe që mund t’i gjejë. Fëmijët tregojnë se friken edhe nga ndonjë fantazmë, se siç u shpreh një fëmijë i klasës së tretë, Bleonën e kanë marrë fantazmat. “Ka edhe fantazma në mal, ndoshta e kanë marrë ato. ç’janë fantazmat? Nuk e di mirë, thonë se janë si hije, njerëz si skelet që i frikin njerëzit”, tha vogëlushi. Edhe prindërit kanë frikë. Kanë frikë pikërisht për fëmijët. Nihat Mata, 40 vjeç, të cilin e takuam tek po kosiste barin, sepse është sezoni i kositjes, tha se kishte ardhur nga Maqedonia pikërisht pasi kishte dëgjuar për Bleonën. “Pas dy ditësh që kishte ndodhur ngjarja mora vesh nga televizori dhe erdha me vrap në shtëpi, sepse bagëtitë te ne i ruajnë më shumë fëmijët, ata punojnë me bagëtitë dhe me punë të tjera. Por tani kemi frikë për fëmijët, ndoshta nuk u ndodh gjë, por kemi frikë, ja e sheh, tani unë i shoqërova fëmijët deri te shtëpia me bagëtitë dhe erdha të punoj”, thotë Nihati, ndërsa kosit barin. “Ne kemi menduar edhe për t’i shitur të gjitha bagëtitë, kështu ndoshta shpëtojmë fëmijët, t’i shesim lopët dhe delet, nuk kemi rrugë tjetër...” - tha Mata.
NdryshimiNdërsa të gjithë të tjerët e ndjekim nga ekranet e televizorëve dhe në gazeta apo në internet, humbja e vajzës së vogël në Zapod përjetohet trishtueshëm. Nënkryetari i Komunës së Zapodit, Xhemal çejvani, thotë se pas humbjes së Bleonës ka ndryshuar shumëçka në komunë, përfshi edhe administratën. “Në punën tonë shumë gjëra kanë ndryshuar. E marrim punën më herët dhe mbarojmë më vonë, njerëzit janë më të tensionuar, shpesh më të heshtur, si të them, duket sikur secilit prej nesh i ka humbur diçka”, thotë nënkryetari çejvani, ndërsa fshin me dorë një lot te sytë. Ai shtoi se edhe në shtëpi ka ndryshuar diçka: “Sot në mëngjes djali im që është në klasën e dytë sapo nxori kryet nga batanija më pyeti, hë babi a u gjet Bleona? Kur tha kështu gruaja nisi të qajë dhe unë nuk dija si t’i përgjigjesha”.
Por në shtëpinë e Zenel Matës ka ndryshuar shumëçka. “E shohim njëri-tjetrin si fajtor. Nuk na hahet më buka si përpara, na zihet top në grykë. Shohim njëri-tjetrin dhe qajmë”, tha gjyshi i Bleonës. Farefisi kur vijnë këtu, të njohurit dhe kushdo tjetër, nuk ka më humor në këtë shtëpi, të gjithë shihemi nga këmbët më së shumti, sepse sapo të shohim njëri-tjetrin nisim e qajmë. Edhe në shkollë më kanë bërë të qajë. Më rrethuan fëmijët e shkollës në oborr e më pyetën, hë mësues a mos u gjet Bleona?” - tregon Gjyshi i vajzës së humbur Zeneli, që punon mësues fshati.
#