E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bler: Kosova e Bosnja ende burime tensionesh

SHBA- Ngjarjet në Ballkan sërish do të paraqesin sfida kryesore për stabilitetin në Evropë më 2010-ën, ka thënë drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Denis Bler, në dëshminë me shkrim që e ka paraqitur para Kongresit të Shteteve të Bashkuara. “Gjendja vazhdimisht e tensionuar ndëretnike në Bosnjë dhe çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, vazhdojnë të mbeten burime tensionesh që kërkojnë angazhim diplomatik dhe të sigurisë nga Perëndimi”, ka thënë Bler. “Ne vlerësojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë ndikim thelbësor në Ballkanin Perëndimor. Natyra e angazhimit të tyre - përfshirë këtu edhe mundësinë e Uashingtonit, Brukselit dhe vendeve kyçe anëtare të BE-së për të punuar bashkërisht dhe për të prezantuar një front të përbashkët - do të ndikojnë thelbësisht në kursin e ardhshëm të rajonit”, ka thënë shefi i Inteligjencës Amerikane. Duke rikujtuar se mbi 60 vende në botë, përfshirë këtu edhe 22 vende anëtare nga 27 sa ka Bashkimi Evropian, e kanë njohur tashmë shtetin e Kosovës, zoti Bler, megjithatë, ka tërhequr vërejtjen se “Prishtina do të vazhdojë të mbetet e varur nga ndihma e komunitetit ndërkombëtar për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm, sikurse edhe për diplomacinë dhe mbështetjen potenciale për sigurinë për të konsoliduar edhe më shumë shtetësinë e saj”. Ai ka ngritur edhe çështjen e Bosnjës, duke thënë se ndasitë etnike atje përbëjnë sfidë për stabilitetin në Evropë. Në dëshminë me shkrim, zyrtari më i lartë i Shërbimit të Inteligjencës ka thënë se kundërshtitë ndërmjet bashkësive kroate, myslimane dhe serbe të Bosnjës, janë në rritje dhe se ngurtësimi i mundshëm i qëndrimeve mund ta kërcënojë stabilitetin e këtij shteti ballkanik. Bler ka thënë se në procesin politik në Bosnjë ende dominojnë “agjendat etnike”, ndërsa reformat kanë ngecur për shkak të dallimeve ndërmjet tri grupeve më të mëdha. Ai ka shtuar se tensionet ndërmjet myslimanëve dhe serbëve të Bosnjes janë "sfidat kryesore" për stabilitetin evropian në vitin 2010.(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›