E Diel, 1 Nëntor 2026

Laakso: Mbështetje për zgjidhjen e krizës, Topi negociator

SHBA- Këshilli i Evropës thotë se do të mbështesë përpjekjet dhe rolin ndërmjetësues të presidentit Bamir Topi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Në një intervistë për BBC- Albania, raporteri për Shqipërinë, Jaakko Laakso, thotë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i parlamentit të përfundojë. Raporteri i KiE e ka vënë theksin për zgjidhjen e krizës dhe fillimin e dialogut tek kontributi që do të japë edhe presidenti Topi “Objektivi ynë kryesor është që, para së gjithash, të parandalojmë acarimin e situatës dhe, siç e përmenda, të ndihmojmë për fillimin e një dialogu politik mes forcave politike. Ne kryesisht po mbështesim përpjekjet e presidentit Topi. Ne mendojmë se ai është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin presidentin”. I pyetur se cili do të jetë kontributi i tij në favor të zgjidhjes së krizës Laakso u shpreh se do të inkurajojë “fillimin e dialogut politik midis palëve kryesore në gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me çështjen e bojkotimit të parlamentit. çdo deputet që është zgjedhur, mund dhe duhet të japë kontributin e tij në parlament”- u shpreh raporteri. Ai thotë se gjetja e rrugës për të arritur deri këtu, do të jetë sfida kryesore gjatë vizitës që një delegacion i Këshillit të Evropës do të bëjë në Tiranë më 22 shkurt. “Ne mendojmë se do të jetë e nevojshme që të takohemi me përfaqësuesit e partive politike, jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike.” – theksoi Laakso. Për sa i përket rolit që ka luajtur presidenti Topi, Laakso ka deklaruar se roli i tij prej ndërmjetësi duhet të jetë më i madh. “Mendoj se ai ka luajtur një rol pozitiv dhe, në fakt, partitë kryesore politike duhet të kontribojnë që roli i tij si ndërmjetës të jetë më i madh. Mendoj se e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka të njëjtën qasje si Këshilli i Evropës se ne jemi në mbështetje të rolit ndërmjetësues të presidenti Topi, në mënyrë që ai të luajë një rol më të madh”- shprehet Laakso. “Fyerjet që i gjen në skenën politike shqiptare, nuk i kam dëgjuar në asnjë vend tjetër evropian”, thekson Laasko gjatë intervistës, ndërsa lëshon përsëri thirrjen për dialog, pasi sipas tij bojkoti ka shkaktuar mospërfaqësimin e opozitës edhe në delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE. “Problemi është se opozita shqiptare nuk përfaqësohet në delegacion. Ky është një ndër rezultatet e bojkotit. E vetmja rrugë për ta zgjidhur këtë problem është që t'i jeptet fund bojkotit dhe opozita të përfaqësohet në delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës” – deklaroi me tej.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›