Blerësit e ndërmarrjeve shtetërore duhet të paguajnë edhe për truallin
Eljona Ballhysa
Subjektet që kanë blerë ndërmarrjet shtetërore duhet që brenda datës 31 maj 2009 të blejnë truallin e tyre. Ndryshe, trualli do t’i kalojë në administrim Agjencisë së Pronave për t’u përdorur në procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Ky vendim është marrë dje nga Këshilli i Ministrave. “Të gjitha subjektet, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas genplanit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.5.2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë”, - shkruhet në pikën tre të vendimit të qeverisë. “Pas afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu, në rastet kur nuk është paguar qiraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin e subjekteve të shpronësuara dhe, në rastet kur trualli ka pronarë, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, trualli i kalon këtij pronari”, - sqarohet në pikën katër të vendimit.
Dokumentet
Pronarët e objektit në rast se vendosin për të blerë truallin e ndërmarrjes së privatizuar më parë duhet të paraqesin në dy kopje, në Ministrinë e Financave në Drejtorinë e Shitjes së Pronave Publike, kërkesën me shkrim për blerje të truallit;
vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë, të noterizuar, kartelën e pasurisë për objektin, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme, në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. Blerësi duhet të paraqesë gjithashtu fotokopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes, lëshuar nga ish-AKP-ja, ish-AQRNB-ja, Ministria e Financave, si dhe fotokopje të noterizuar të genplanit apo planimetrisë së objektit në çastin e privatizimit. Në dosjen e blerësit duhet të paraqitet dhe deklarata noteriale origjinale, në dy kopje, që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës.
Procedura
Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës së mësipërme, për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-AKP-ja dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt, dhe brenda 7 ditëve nga mbërritja e dokumentacionit të privatizimit, i kërkon zyrës rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që të konfirmojnë statusin e truallit, çmimin përkatës të shitjes. Agjencia, pasi kryen verifikimet, i kthen përgjigje ministrisë brenda 15 ditëve. Në rastet kur konfirmohet se trualli i objekteve apo ndërmarrjeve të shitura ka pronarë, atëherë Drejtoria e Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kryen kthimin e truallit pronarit të ligjshëm. Në rast se vërtetohet se pronar është shteti, kryhet lidhja e kontratës me pronarin e ndërmarrjes, i cili do të paguajë për truallin në bazë të vlerës së tregut në zonën ku ndodhet trualli. Të ardhurat e arkëtuara nga shitja e truallit do të kalojnë 100 % për buxhetin e shtetit, për efekt të fondit të kompensimit financiar për subjektet e shpronësuara.
28 Janar 2009