Ndërtimi dhe industria e konfeksioneve preken nga kriza ekonomike globale
Ervin Koçi
Kriza ekonomike në vendin tonë ka filluar që të ndihet ngadalë në disa prej sektorëve më kyç të prodhimit dhe industrisë. Një fakt i tillë ka prekur edhe sektorin e ndërtimit, në të cilin, si pasojë e krizës, është rritur çmimi i lëndëve të para dhe materialeve të ndërtimit në një kohë që ka rënë numri i shitjeve. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Ilir Hebovija, ndërtimi tashmë po futet në krizë dhe shkak për këtë është edhe ulja e kredisë për bizneset nga bankat. Sipas juristit Hebovija, “shumë kompanive, të cilat kanë zhvilluar projekte në sektorin e infrastrukturës, nuk u janë shlyer detyrimet nga shteti”. Rritja e kostos së ndërtimit ka bërë që të pasqyrohet edhe në rritjen e çmimeve të apartamenteve, e cila, duke u shoqëruar edhe me uljen e shitjeve, ka bërë që ndërtuesit të kenë vështirësi në likuiditete dhe mungesë të kapitaleve për të investuar. Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të sektorit të ndërtimit, një problem i mbartur është edhe ai i dhënies së lejeve të ndërtimit.
Reduktimi i kredisë
Fillimi i vitit 2009 e gjeti situatën e dhënies së kredive për shtëpi më të reduktuar. Sipas specialistëve, në krahasim me një vit më parë edhe oferta e bankave të nivelit të dytë është ulur. Bankierët thotë se kriza ekonomike ka filluar të ndihet në Shqipëri, dhe për këtë arsye edhe klientët tanë tashmë mendohen mirë përpara se të aplikojnë për kredi. Procesi i dhënies së kredive është shtrënguar dhe po tregohet një kujdes më i veçantë kundrejt klientëve, por më e rëndësishme për të dyja palët është marrja e kredisë në monedhën në të cilën aplikantët kanë të ardhurat e tyre. Një nga sektorët që kriza ekonomike botërore është pasqyruar në vendin tonë është pikërisht ritmi i kredidhënies si për bizneset, ashtu dhe për shtëpitë, ku niveli i dhënies së kredisë është ulur.
Sektori i prodhimit
Kriza ekonomike globale ka goditur edhe sektorin e konfeksioneve. Prodhuesit e mallrave me fason, të cilët eksportojnë kryesisht në vendet fqinje si Italia dhe Greqia, deklarojnë se ndodhen në vështirësi financiare, pasi ka rënë ndjeshëm kërkesa nga vendet porositëse. Si pasojë, një pjesë e tyre kanë qenë të detyruar të mbyllin fabrikat, çka do të thotë se qindra njerëz po humbasin vendin e tyre të punës. Kjo krizë ekonomike është shprehur në mungesën e theksuar të porosive të prodhimit, ku një numër i konsiderueshëm ndërmarrjesh janë mbyllur ose janë duke u mbyllur. Pjesa tjetër e ndërmarrjeve që po punojnë aktualisht janë nën kapacitet, me porosi të ulura, që ka çuar edhe në pakësimin e numrit të punëtorëve. Konfensionistët i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë duke zbatuar politika fiskale lehtësuese, për t’iu ardhur në ndihmë në këtë periudhë krize. Mallrat me fason, kryesisht tekstile dhe këpucë, janë zëri kryesor në eksportet shqiptare. Por njëkohësisht edhe një ndër burimet kryesore të punësimit në vend. Përfshirja nga kriza e këtij sektori do të shkaktojë një reaksion zinxhir efektesh në ekonominë e vendit, të cilat do të kulmojnë me rritjen e papunësisë dhe thellimin e varfërisë.
28 Janar 2009