Harasani: “Berisha të ofrojë transparencë për privatizimin e pasurisë kombëtare”
Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, kërkon nga qeveria transparencë për privatizimet e kryera kohët e fundit të kompanive shtetërore. Harasani tha se pasuria kombëtare po privatizohet nga qeveria duke u shoqëruar me korrupsion masiv dhe mungesë totale të transparencës. “Sot, kur na ndajnë vetëm 152 ditë nga ndarja njëherë e përgjithmonë me këtë qeveri, e cila nuk numëron veprat, por numëron zullumet, jemi këtu përpara jush për të kërkuar minimumin e asaj çka kërkohet në çdo sistem demokratik në botë: transparencë. I kërkojmë zotit Berisha që në vend që të laget në shi duke mbikëqyrur veprat, ku e vetmja meritë që ka është ajo që i vonoi për afera korruptive për mbi dy vjet, siç ishte linja që bëri sikur mbikëqyri dje, të bëjë transparencë për publikun shqiptar në lidhje me pasurinë tonë kombëtare, e cila po bastardohet dhe zhvlerësohet nga dita në ditë. Kemi tre skenarë; një skenar ku po firmosen kontrata, një skenar ku po tenderohet dhe një skenar të tretë ku po jepen koncesione, të cilat kanë vetëm dy pika të përbashkëta: korrupsionin masiv dhe mungesën totale të transparencës”, - tha Harasani. Deputeti socialist kërkoi nga kryeministri Berisha që të ofrojë transparencë për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, për negociatat për privatizimin e INSIG-ut, për qendrën e kontrollit të drejtimit të automjeteve, për operatorin e katërt të telefonisë celulare, për koncesionet e HEC-eve në Devoll si dhe për TEC-in në Porto Romano.
28 Janar 2009