Blerim Rrustemi firmos për Alkin në Qipro

Të gjithë drejt Qipros. Blerim Rrustemi është zyrtarisht lojtar i skuadrës qipriote Alki Larnaka. Mbrojtësi kosovar i Kombëtares shqiptare do të bashkohet kështu me portierin e kuqezinjve, Isli Hidi, i cili nënshkroi me skuadrën ishullore një kontratë dyvjecare pak javë më parë.
"Blerimi u testua për dy ditë te Alki dhe arriti të bindë trajnerin Kasiano për vlerat e tij, pasi klubi qipriot kërkonte një qendërmbrojtës" - tha për Albania-sport.com menaxheri i tij, Sokol Haxhiaj.
"Rrustemi nëshkroi një kontratë dyvjecare dhe do të përfitojë një shumë 300 mijë, plus një makine, shtëpi e trajtimit ushqimor falas në restorantet me të cilët klubi ka marrëveshje", -shtoi agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhiaj, i cili gjatë merkatos së kësaj vere ka realizuar transferimin e Jahmir Hykës te Mainc 05 në Gjermani, Klodian Duros te Omonia në Qipro, Isli Hidit e Admir Telit, të dy te Alki në Qipro.
Në kampionatin qipriot luajnë edhe portieri Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta) e mesfushori i majtë, Altin Haxhi (Apoel).
Blerim Rrustemi, i cili është i vetmi futbollist shqiptar që ka mundur të luajë në Brazil e Uruguaj, më parë ka luajtur për Borusian e Mënshengladbahut 2, danezët e AC Horsens dhe sërish në Gjermani me Erfuhrtin.
Sipas sajtit sportiv qipriot, kerkika.net, mbrojtësi 25-vjecar Rustemi shikohet nga trajneri Kasiano si alternativa zëvendësuese e shkodranit Admir Telit në repartin difensiv. Lojtari i Vllaznisë është ende në forcë me skuadrën e qytetit të tij, madje luajti në Kupën UEFA në fitoren 2-1 kundër Koperit.
Alki do të niset të shtunën për të kryer fazën përgatitore në Ceki dhe në listën zyrtare të publikuar në faqen e klubit të Alkit të pranishëm janë Isli Hidi e Blerim Rustemi.
"Për momentin duket se Admir Teli është larg Alkit, por gjithsesi pas përfundimit të impenjimeve me Vllazninë në Kupën UEFA, Alki do ta thërrasë sërish atë", - tha Haxhiaj.