E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon miqësorja me Brazilin

Miqësorja mes përfqësueses së Kosovës dhe kombëtares olimpike braziliane mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar. Ndeshja e paraparë të zhvillohej në Gjenevë të Zvicrës më 25 korrik nuk do të zhvillohet sic ishte përfolur për disa ditë me radhë. Lajmi është bërë i ditur të premtën nga Federata e Futbollit të Kosovës që me anë të një komunikate ka treguar arsyet e dështimit të kësaj përballjeje.
"Më herët për zhvillimin e ndeshjes ishte pajtuar jo vetëm Brazili e Kosova, por edhe autoritet zvicerane që kjo ndeshje të zhvillohet në shtetin e tyre, ndërsa të enjten FIFA ka kërkuar edhe një konfirmim të ri nga ana e Brazilit dhe Zvicrës. Dhe për shkak të kësaj zvarritje të përgjigjes nga ana e FIFA-s, Brazili është detyruar që të gjejë zgjidhje tjetër, pra për një ndeshje tjetër miqësore dhe ka udhëtuar për në Singapur me qëllim të përgatitjes së më të mirë për Lojërat Olimpike si domosdoshmëri që të ketë ndeshje kontrolluese para udhëtimin në Pekin", thuhet përvec tjerash në komunikatën e lëshuar nga FFK.
"Në të vërtet FIFA nuk e ka refuzuar zhvillimin e ndeshjes përkundër asaj që në shumë mediume serbe është shkruar se FIFA e ka ndaluar zhvillimin e ndeshjes, por me zvarritjen e vendimit për këtë ndeshje, ka detyruar rivalin Brazilin që të gjejë një kundërshtar tjetër për ndeshje miqësore, duke mos qenë e gatshme për të pritur më gjatë", thuhet në vazhdim të komunikatës.
Përfaqësuesja e Kosovës ka të aranzhuara dy takime miqësore në muajin gusht. Më 18 gusht është paraparë që të luajë kundër kombëtares së Beninit, ndërsa dy ditë më vonë kundër asaj të Arabisë Saudite. Me këtë të fundit përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar një miqësore vitin e kaluar, me c'rast kishte shënuar fitore me rezultatin 1-0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›