E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtrim Munishi edhe 365 ditë me kampionët

Fatmir BytyciPrishtinë, 18 korrik - Njëri ndër sulmuesit më të mirë në futbollin e Kosovës, Kushtrim Munishi, edhe një vjet do të jetë pjesë e skuadrës kampione, Prishtina. "Bardhekaltrit" ka disa ditë që kanë nisur përgatitjet për edicionin e ri të garave që do të nisin në fund të muajit gusht. Në anën tjetër, Prishtina, tashmë ka vazhduar kontratën më disa nga futbollistët kryesorë në radhët e kësaj skuadre. Futbollisti që ka vazhduar marrëveshjen me kryeqytetasit është edhe veterani Kushtrim Munishi, i cili është duke i vijuar stërvitjet me skuadrën. Ai thotë se është i kënaqur që edhe një vjet do të jetë pjesë e Prishtinës.
"Me Prishtinën kam vazhduar kontratën edhe për një vet. Jam i lumtur që sërish do të jam pjesë e këtij klubi të madh", ka thënë të premten Munishi.
"Realisht jam i kënaqur me kushtet që ofron skuadra e Prishtinës. Jam në fund të karrierës sime dhe do të dëshiroja që karrierën ta përmbyllë në Prishtinë".
Ish-sulmuesi i shumë skuadrave të Kosovës, ka pohuar se edhe në kampionatin e ri skuadra e tij do ta ketë fjalën kryesore. Munishi thotë se Prishtina ka skuadër që sërish mund ta prekë titullin e kampionit.
"Mendoj se Prishtina është skuadra më cilësore dhe kompakte në futbollin tonë. Është skuadër që ka potencial të fortë, prandaj edhe në edicionin e ri të garave objektiv i Prishtinës do të jetë titulli i kampionit", ka theksuar sulmuesi i Prishtinës, Kushtrim Munishi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›