E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll: Vazhdon “telenovela” Kosova - Brazili

Fatmir Bytyci, Prishtinë - Mundësitë për zhvillimin e ndeshjes së futbollit të shumëpërfolur këtyre ditëve në mes përfaqësueses së Kosovës dhe Brazilit po zbehen gjithnjë e më shumë. Derisa Brazili dhe Zvicra tashmë kanë konfirmuar zhvillimin e këtij takimi, në anën tjetër FIFA ende nuk e ka dhënë përgjigjen e vet nëse mund të zhvillohet ndeshja Kosova - Brazili. Kështu që, kontaktet e drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me zyrtarët e FIFA-së, kanë vazhduar edhe ditën e enjte.
I pari i FFK-së, Fadil Vokrri, në mëngjesin e ditës së enjte ka kontaktuar me këshilltarin e kryetarit të FIFA-së, Sep Blaterin.
"Ne edhe sot kemi vënë kontakte me këshilltarin e kryetarit të FIFA-së, Sep Blaterin, mirëpo ende nuk e kemi marrë përgjigjen zyrtare nga FIFA. Këshilltari i Blaterit na ka premtuar se gjatë ditës do ta marrim përgjigjen e FIFA-së, mirëpo në këtë drejtim ende nuk ka lëvizur asgjë zyrtare", ka thënë Vokrri.
Ka tri ditë që në mediet jo vetëm të Kosovës, por edhe në mediet e huaja, vecmas ato të Beogradit, më të madhe flitet për mundësinë e zhvillimit të ndeshjes në mes Kosovës dhe Brazilit. Madje, dy ditët e fundit ky lajm ka tronditur Beogradin, të cilët me gjithë arsenalin e tyre po bëjnë gjithcka që ta parandalojnë zhvillimin e këtij takimi, e që për shqiptarët do të realizohej ëndrra për t'i prekur yjet e futbollit brazilian. Ndonëse kanë kaluar dy ditë që FFK-ja është në pritje të përgjigjes nga FIFA, megjithatë drejtuesit e FFK-së shpresojnë në përgjigje pozitive.
"Ne jemi duke pritur përgjigjen nga ana e FIFA-së. Shpresojmë që nga FIFA do të marrim sinjal pozitiv", ka thënë Vokrri. Ndeshja në mes Kosovës dhe Brazilit është paraparë që të zhvillohet më 26 korrik në Gjenevë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›