Blerim Shala: Kosova nuk mund të shndërrohet në një përbindësh administrativ

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se partia e tij ka informata të bazuara për takime të fshehta ndërmjet qeveritarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Zoti Shala thotë se bisedime me Serbinë duhet të ketë edhe po qe se Beogradi do të njihte pavarësinë e Kosovës, meqë të dyja vendet kanë çështje të hapura, por ato duhet të bëhen në bazë të një axhende të përcaktuar dhe publike. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë Besim Abazi, zoti Shala shfaq shpresën se kryetari i partisë së tij, Ramush Haradinaj do të shpallet sërish i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.
Zëri i Amerikës: Zoti Shala, Partia juaj ka ngritur këto ditë pohimet se qeveria e Kosovës po bisedon fshehtas me Serbinë, pohime që janë mohuar nga qeveria e vendit. A keni vërtetë informacione të sakta për këtë apo është një lëvizje opozitare, sic thonë një pjesë e vëzhguesve?
Blerim Shala: Jo. Me tema të tilla nuk bën të bëhet politikë absolutisht. Kemi informata të bazuara që zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë pasur takime të tilla.
Çfarë kemi kërkuar ne si Aleancë, është, në bazë të përvojës së mirë në këtë aspekt, në Rambouillet dhe gjatë procesit të definimit të statusit të Kosovës, ta bëjmë shpalosjen publike të agjendës së bisedimeve përmes qeverisë, Kuvendit të Kosovës, shoqërisë civile, sepse është një temë tepër e ndjeshme.
Ju e dini fare mirë që bisedimet Prishtinë Beograd për çka do qoftë, janë bisedime të cilat zgjojnë shqetësimin e qytetarëve të Kosovës. Pra, insistimi jonë është le ta përgatisim agjendën, le ta kalojmë në Kuvendin e Kosovës, e pastaj ta shohim se çfarë mund të arrihet me ato bisedime, natyrisht me synimin që kemi të bëjmë me bisedime midis dy shteteve fqinje, me synim të sigurimit të fqinjësisë së mirë, që është parakusht për tu anëtarësuar në BE dhe paktin NATO.
Zëri i Amerikës: Por qeveria e mohon një gjë të tillë. Sipas jush, cilat mund të ishin përfitimet e qeverisë nga bisedimet e këtij formati?
Blerim Shala: Tju them hapur, mendoj se qeveritarët e Kosovës para GJND-së kanë pasur përshtypjen që vlerësimi i GJND-së do të jetë i dykuptimshëm, siç është pritur prej të gjithë neve, duhet thënë krejt hapur.
Vlerësimi i GJND-së ishte një befasi jashtëzakonisht e mirë për të gjithë ne dhe për qarqet diplomatike perëndimore. Dhe supozimi është se ka pasur përpjekje për të vendosur kontakte me zyrtarë serbë për të matur pulsin e njëri tjetrit se çfarë mund të bisedohet dhe cfarë mund të arrihet.
Por ne kemi krijuar një avantazh të madh pas 22 korrikut, situata ka ndërruar në mënyrë radikale. Kështu që, tash mendoj se qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në njohjet sa më të mëdha të pavarësisë së Kosovës, që të materializojmë këtë avantazh të 22 korrikut, të mbërrijmë numrin e duhur të njohjeve dhe të aplikojmë për tu anëtarësuar në OKB. Kjo nuk mund të arrihet sivjet, duhet ta themi sinqerisht.
Caku jonë i përbashkët duhet të jetë vjeshta e vitit 2011, kur mendoj që megjithatë nëse punohet si duhet prej nesh, mund të arrihet kualiteti i duhur i njohjeve ashtu që mund të aplikojmë për anëtarësim në OKB.
Zëri i Amerikës: Zoti Shala, qeveria u ka bërë thirrje që të jeni pjesë e procesit politik. A jeni të gatshëm të përfshiheni në veprimet e qeverisë dhe carë mund të bëni ju si opozitë?
Blerim Shala: Mendoj anasjelltas, ne kemi bërë, ju e dini fare mirë ofertën për tryezë të rrumbullakët. Ne kemi thënë si parti opozitare, që për temat madhore, çfarë janë edhe bisedimet me Beogradin, por gjithsesi edhe strategjia për veriun e Kosovës, temat e njohjes së Kosovës nga shtetet tjera, duhet të ketë një dialog midis qeverisë dhe opozitës, duhet të ketë një bashkërenditje të përpjekjeve, sepse është interes jetik i të gjithë qytetarëve të Kosovës të kemi depërtime në këto segmente dhe që Kosova të akomodohet në arenën ndërkombëtare por edhe brenda territorit të saj sepse e dimë fare mirë se çfarë po ndodhë në veri të Kosovës.
Kjo ofertë është bërë publike. Mund tju them hapur që dy herë është bërë në mënyrë konfidenciale, një herë është bërë në mënyrë publike.
Tri herë kemi bërë ofertën për tryezë të rrumbullakët në 18 muajt e kaluar, tri herë është refuzuar kjo kërkesë prej qeverisë së Kosovës, sepse po supozoj, ata dëshirojnë të monopolizojnë, po mendojnë që mund të monopolizojnë temat madhore për çështjen e Kosovës, gjë që është gabim në qasje, gabim në model të veprimit.
Zëri i Amerikës: Por, krijimi i tryezave në një kohë kur vendi ka institucionet e tij, nuk është njëfarë dyzimi i veprimeve institucionale?
Blerim Shala: Jo, mendoj që nuk është. Shikoni, ne nuk kemi kërkuar ekip të unitetit, një strukturë të ngurtë, nëse mund të shprehem ashtu, që do të merrte mbi vete përgjegjësinë politike për të gjitha temat, siç ka ndodhë në vitet 2005 2007.
Jo, ne kemi menduar që është një periudhë shumë e ndjeshme dhe kemi përvojat nga shtetet e ndryshme edhe në periudhën paskomuniste edhe në periudhat e ndryshimeve të mëdha, kur bëhet një përpjekje nga presidenti i vendit, nga kryeministri i vendit që të ketë një konsensus me partitë opozitare dhe më gjithë atë shoqëri për temat madhore.
Shikoni, tema e veriut të Kosovës, këtë duhet thënë krejtësisht hapur, është temë e cila na takon të gjithë neve. Ne tash nuk mund ta politizojmë, ta bëjmë garë politike të përditshme të akuzave dhe kundër akuzave midis qeverisë dhe opozitës se kush çka po bënë për veri, kush çka po bënë për dialogun Prishtinë-Beograd, i cili supozohet që do të ndodhë, kush çka po bënë për njohjet ndërkombëtare.
Secili prej nesh, nëse ka pak mundësi të kontribuojë për njohjet ndërkombëtare, pse të mos vejë veten në dispozicion të kësaj tryeze të rrumbullakët ashtu që së bashku të punojmë në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk i përjashton temat tjera politike se kjo është një demokraci në zhvillim e sipër dhe me siguri ka një mori temash, sidomos temat ekonomike dhe sociale ku mund të kemi një dialog të mirëfilltë dhe një garë të mirëfilltë politike.
Veriu i Kosovës vetëm në bazë të planit Ahtisaari
Zëri i Amerikës: Zoti Shala e përmendët disa herë veriun e Kosovës që është një prej çështjeve kryesore të hapura dhe të pazgjidhura në Kosovës. Si e shihni ju zgjidhjen e këtij problemi dhe si i vlerësoni idetë për zgjidhjen e kësaj çështjeje në dritën e propozimeve të tilla si modeli i Tirolit jugor?
Blerim Shala: Ne mendojmë fuqimisht që veriu i Kosovës duhet të trajtohet sipas pakos së Ahtisaarit apo sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila e ka përvetësuar në tërësi pakon e presidentit Ahtisaari. Cdo solucion tjetër shtesë, keni dëgjuar në të kaluarën formula të llojit Ahtisaari plus, autonomi të veçantë për veriun, Tirolin Jugor, mendojmë që është i gabuar.
Nuk mund të ketë asimetri në të drejtat e serbëve të Kosovës, sepse krijojmë telashe të mëdha për serbët e Kosovës, por edhe për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ju kujtohet që presidenti Ahtisaari, zëvendësi i tij, Alber Rohan por edhe ne së bashku, patëm mbërri deri tek disa vija të kuqe të cilat nuk mund të kalohen.
Njëra prej vijave të kuqe është që të mos shndërrohet Kosova në një përbindësh administrativ. Tash, nëse në një pjesë të Kosovës, funksionon decentralizimi në bazë të pakos së Ahtisaarit, ndërsa në veri të K