Vendimi, hiqen orët shtesë dhe dietat për policinë
TIRANË - Nuk ka më orë shtesë apo dieta për 9600 efektivët e Policisë së Shtetit. Heqja e tyre është bërë me anë të një vendimi të qeverisë, i pabërë publik ende. Burime nga uniformat blu kanë të ditur për gazetën “Albania” se vendimi i marrë ka mbërritur para tri ditësh në të gjitha drejtoritë e policive të qarqeve në vend. Në këtë mënyrë, kriza ekonomike po ndikon dhe në Policinë e Shtetit, duke ulur shpenzimet. Siç mësohet, ky vendim ka sjellë pakënaqësi të mëdha në radhët e efektivëve blu, të cilët nën zë janë kundër këtyre kufizimeve. Të ndodhur në një situatë kur puna është orar e pa orar, efektivët e policisë tani do të jenë dhe pa trajtimin suplementar që e merrnin rrallë. Por nuk janë vetëm orët suplementare që u janë hequr efektivëve të policisë. Siç është mësuar, tani dhe dietat nuk do të jepen më kur një oficer policie lëviz në rrethe të ndryshme të vendit apo dhe jashtë Shqipërisë. Sipas një burimi në polici është bërë e ditur se ky vendim nuk do të jetë i përhershëm, por deri në një komunikim të dytë, që siç është bërë e ditur, mund të merret në dhjetor të 2010-s.
Orët suplementare
Mospagesa e orëve suplementare bie ndesh jo vetëm me ligjin e policisë, por edhe me kontratën kolektive, si dhe me Kodin e Punës. Pikërisht në kontratën kolektive, në nenin 5 të saj, është përkufizuar koha normale e punës dhe shtesat mbi pagë për kohëzgjatjen e saj. Sipas këtij neni, në sistemin e punës së shërbimit policor, koha normale javore e punës është 40 orë. Orari i punës përcaktohet në përputhje me interesat e palëve, përjashtuar rastet e përcaktuara me ligj dhe specifikat konkrete të vendit të punës. Gjithashtu, në nenin 5 deklarohet se punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Në nenin 90 të Kodit të Punës deklarohet se për punë suplementare, si dhe kur kërkohet për emergjenca të ndryshme për situata jo të zakonshme, sasia e orëve nuk mund të jetë më shumë se 10 orë në javë. Ndërsa në nenin 91 shtohet se orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë 25 për qind më shumë se orët normale. “Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor ose të ditëve të festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 për qind më shumë se orët suplementare të bëra ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës ose shërbimit”, - deklarohet në Kodin e Punës.
Sa paguhet një orë suplementare
Orët suplementare paguhen 325 për qind mbi pagën ditore të një efektivi policor. Por, edhe për orët mbi punën e zakonshme, shpërblimet janë të ndryshme. Nga roli bazë i nëninspektorit deri në rolin më të lartë drejtues ndryshojnë dhe pagesat suplementare në varësi të shumës që rritet paga. Ndërkaq, efektivët e policisë ende nuk e kanë ndjerë rritjen e pagave të bëra nga qeveria më 1 korrik 2010. Siç bëhet e ditur, shtesa e pagës nuk është marrë ende dhe pritet që ajo të merret në shtator. Por, ndërsa pagat me rritjen e rrogës nuk janë marrë, ndryshe qëndron me taksat. Të gjitha taksat në muajin gusht janë paguar në bazë të rrogës së re, e jo të së vjetrës.
Ligji: Neni 81:
1)
Çdo punë e kryer nga ora 19:00 deri 22:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20%.
2) Çdo orë pune e kryer midis intervalit 22:00 deri 06:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë, jo më pak se 50%.
Neni 9:
Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pak se 25% të saj. Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor, ose të ditëve të festave zyrtare, kompensohen me pushim, ose pagë të paktën 50% më të madh se orët suplementare të bëra ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës (shërbimit).
Heqja e dietave
Përveç heqjes së pagesës për orët suplementare uniformat blu tani nuk kanë mundësi të marrin më as dieta. Në këtë kategori bëjnë pjesë të gjithë efektivët. Siç është bërë e ditur, nëse një oficer policie do të bëjë shërbim në rrethe apo jashtë vendit, ai nuk do të marrë asnjë pagesë shtesë për punën e bërë. Nëse fillimisht dietat ishin të përkthyera në ushqim, kjo gjë ndryshoi disa vite më parë. Por tani edhe paratë nuk do të jepen më. Raste të veçanta do të jenë ato kur titullari më i lartë i institucionit do të firmosë për dieta ndaj një oficeri policie. Por, këtë kompetencë nuk e ka asnjë drejtor qarku, apo drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Dieta mund të merret vetëm nëse ajo do të firmoset nga ministri i Brendshëm.
Pagat e policisë, rritja e përfituar sipas gradave
TIRANË - Në datën 27 janar të vitit 2009, Këshilli i Ministrave vendosi që efektivët e Rendit të përfitojnë paga të reja që prej 1 majit 2009 e në vazhdim. Kështu, nëninspektorët, nga data 1 maj kanë një pagë bazë për gradë prej 33 600 lekësh në muaj, nga 32 000 lekë që ishte deri tani. Inspektorët do të përfitojnë një pagë mujore prej 37 000 lekësh në muaj, ose 2500 lekë më shumë. Në nivelin e zbatimit, kryeinspektorët do të përfitojnë pagën më të lartë për shkak të gradës, 42 000 lekë çdo muaj, nga 39 000 lekë që merrnin më parë. Pagave bazë për gradë do t'u shtohen edhe shtesat për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi, si njësi operative e vëzhgimi, specialistë të policisë në zonë, ku për këto funksione shtesa në pagë do të jetë 5500 deri në 6500 në muaj. Ndërsa për funksione të forcës së posaçme dhe oficerë të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda shtesa në pagë arrin deri në 17 500 lekë në muaj. Për punonjësit e nivelit të zbatimit që ushtrojnë detyrën në funksione të sigurisë publike si Policia Rrugore, Qendra e Emergjencave dhe Sallave Operative, ruajtja e siguria e objekteve, në funksione ndalim paraburgimi, në funksione organike të Policisë Kufitare dhe Migracionit do të ketë një shtesë në pagë nga 5500 deri në 6500 lekësh në muaj. Punonjësit e nivelit të parë drejtues, ku përfshihen nga nënkomisarët te kryekomisarët do të kenë paga që variojnë nga 51 000 deri në 81 000 lekë në muaj, si dhe shtesat e natyrës së veçantë të punës dhe shërbimit. Nënkomisarët do të kenë një pagë mujore prej 51 000 nga 48300 lekë në muaj. Komisarët, nga 54 250 lekë në muaj do të marrin 56 000 lekë. Paga bazë për gradën "Kryekomisar" do të jetë 81 000 lekë në muaj. Deri tani kjo gradë kishte një pagë mujore prej 80 900 lekësh. Drejtuesit e nivelit të mesëm në polici do të përfitojnë një pagë bazë për gradën që mbajnë prej 93 000 lekësh në muaj, ose 600 lekë më shumë. Ndërsa për drejtuesit e parë të Policisë së Shtetit paga bazë për gradën që mbajnë do të jetë 96 000 lekë në muaj, ose 2000 lekë më shumë se aktualja. Në vendim është bërë edhe një shtesë, e cila u jep mundësi të gjithë punonjësve të policisë që pranohen në Shkollën bazë të Policisë që gjatë kohës së shkollimit të përfitojnë në masën 60 për qind të pagës së gradës "Nëninspektor", kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 100 për qind të pagës së po kësaj grade kur ka përfunduar arsimin e lartë. Kjo gradë ka një pagë bazë prej 33 600 lekësh në muaj. Në këtë kontekst, qeveria ka miratuar tarifat e reja të kompensimit për të gjithë ushtarakët, të cilët jetojnë dhe punojnë larg vendbanimeve të tyre.
Pagat
Grada - Ishin - Bëhen
Agjenti 31 350 lekë – 33 231 lekë
Agjenti i Parë 32 400 lekë – 34 344 lekë
Asistenti 33 600 lekë – 35 600 lekë
Asistenti i Parë 35 000 lekë – 35 616 lekë
Kryeasistenti 36 100 lekë – 38 266 lekë
Roli i mesëm
Nëninspektori 46 000 lekë – 48 760 lekë
Inspektori 48 300 lekë – 51 198 lekë
Kryeinspektori 54 250 lekë – 57 505
Roli i lartë
Nënkomisari 65 900 lekë – 69 854 lekë
Komisari 80 900 lekë -85 754 lekë
Kryekomisari 92 400 lekë – 97 944 lekë
Roli madhor.
Drejtuesi 102 000 lekë – 108 120 lekë
Drejtuesi i Parë 109 500 lekë – 116 070 lekë
15 Gusht 2010