E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis Superliga e Kosovës dhe sivjet pa ndryshime



PRISHTINË - Kampionati i ri i Kosovës në futboll, filloi të shtunën, i ka zënë jo pak në siklet ekipet e Superligës. Ato po përballen me probleme financiare, me bojkote të futbollistëve, nuk janë të përgatitura si duhet dhe me shumë halle të tjera. Për këtë, njohësit e futbollit kosovar nuk presin një kampionat më interesant dhe më përparimtar karshi viteve të kaluara. Madje, ka prej tyre që mendojnë se do të shkojë edhe më keq, duke e parë në realitet gjendjen e mjerueshme të futbollit në vend aktualisht. Trajneri me përvojë, Hysni Maxhuni, i përmend disa faktorë që, sipas tij, do të ndikojnë që kampionati në prag të nisjes nuk do të ketë ngritje.
“Nuk e shoh një kampionat më interesant sesa në vitet e kaluara, nuk pres interesim të madh. Ekipet nuk janë të përgatitura si duhet, pasi i kanë filluar përgatitjet vonë. Ka prej tyre që kanë bërë vetëm 3-4 stërvitje. Shikuesit e kanë përcjellë një muaj Botërorin dhe tash nuk mendoj se kanë interesim që ta përcjellin kampionatin e Kosovës. Temperaturat janë mjaft të larta, që do ta vështirësojnë punën”, mendon ish trajneri i Hysit. Ai e parasheh edhe më të keqen – largimin e ndonjë ekipi nga Superliga gjatë sezonit. “Mund të ndodhë që ndonjë ekip të tërhiqet edhe gjatë kampionatit, ngase do ta kenë shumë të vështirë ta përballojnë gjithë sezonin, kur dihet se në çfarë gjendjeje financiare gjenden ekipet. Lojtarët mund të lodhen dikur duke i pritur rrogat, edhe ashtu të vogla, gjë që mund të ndikojë në tërheqjen e ekipit”, vazhdoi Maxhuni i cili favorit për titull e sheh Hysin, Trepçën dhe Besën. Edhe trajneri Fahredin Duraku është pesimist për një kampionat më të mirë sivjet. Madje, ai vlerëson se kampionati i ri mund të jetë më i dobët sesa ata të kaluarit, në bazë të gjendjes aktuale të klubeve.
“Duke e parë situatën aktuale, nuk jam fort optimist se do të jetë më interesant kampionati që po fillon. E them këtë sepse ekipet nuk kanë shkuar në përgatitje jashtë Kosovës, kanë probleme financiare dhe nuk janë përforcuar. E shoh një kampionat dështues, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë kualitativ. Ndoshta situata në futbollin kosovar është edhe më e dobët”, nënvizoi Duraku. Përkundër disa ndryshimeve që bëri gjatë verës, kampioni aktual, Trepça, mbetet kandidat për titull për trajnerin mitrovicas bashkë me Hysin, Lirinë dhe Prishtinën, derisa nga pozita e gjashtë e teposhtë ekipet do të jenë të rrezikuara për të rënë nga Superliga.
Ndryshe është i mendimit trajneri prizrenas, Erdogan Celina. Edhe pse thotë se nuk i ka përcjellë shumë ekipet gjatë përgatitjeve, ai pret një kampionat interesant dhe të rregullt. “Disa ekipe janë përforcuar. Ato që kanë stabilitet financiar dhe që janë përforcuar, do të kenë një pozitë të mirë në tabelë. Si favorit për ta fituar titullin e shoh Hysin, Lirinë dhe Besën, kurse për ekipet e rrezikuara është vështirë të flitet sepse janë shumë, ngase niveli i ekipeve kosovare është përafërsisht i njëjtë”, shpjegon ai. Me ose pa probleme të klubeve, kampionati i Kosovës në futboll do të nisë këtë fundjavë.

Vokrri: Ky është kampionati kosovar i fundit jashtë FIFA-s
PRISHTINË - Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, beson se kampionati 2010-2011, që nisi dje, do të jetë i fundit në izolim. “Tashmë FIFA njeh FFK-në dhe futbollistët e Kosovës. Unë besoj dhe shpresoj se ky do të jetë kampionati i fundit që nuk do të jemi pjesë e arenës ndërkombëtare. Cilësia e rritur, shtimi i shikueshmërisë, disiplina dhe korrektësia e futbollistëve në fushë, organizimi jashtëzakonisht i mirë i klubeve në kampionatin e kaluar, na bëjnë që të besojmë dhe të shpresojmë se kampionati i ri do të tejkalojë këto rritje dhe të arritura. FFK-ja është e vendosur që të bëjë gjithçka që është e mundur që ta vazhdojmë këtë traditë”, ka thënë Vokrri në letrën dërguar futbollistëve dhe drejtuesve të klubeve para fillimit të kampionatit të ri. Vokrri ka thënë se është koha që të spastrohet ndërgjegjja e të gjithë atyre që janë të angazhuar rreth futbollit. Ai ka shtuar se duhet të ndryshohet shumëçka dhe të vihet shumë çka në vend nëse dëshirohen arenat ku garojnë mbarë bota. Njeriu i parë i FFK-së ka theksuar se institucioni që drejton do të jetë shtëpi ku do të ketë rend, ku secili anëtar merr përgjegjësitë dhe obligimet. “FFK-ja do të jetë një shtëpi me zot shtëpie që secilin anëtar e shikon njësoj e pa anime, që lavdëron të mirët e ndëshkon të padisiplinuarit që përpiqen të rrënojnë shtëpinë. Por edhe shtëpi me shumë guxim për ndryshime pozitive, sepse çdo vonesë do të na kushtojë shtrenjtë”

Fillon Premier Liga, Totenhem dhe Siti ndajnë pikët
LONDËR - Dy ekipet të cilat sezonin e kaluar luftuan dhëmb për dhëmb për një vend në Ligën e Kampioneve, kanë luajtur dje ndeshjen e parë të Premier Ligës, duke e përfunduar ndeshjen në një barazim pa gola. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Uhite Hart Lane” u dominua kryesisht nga vendasit që patën iniciativën duke krijuar një mori rastesh. Por, portieri Joe Hart ka qenë heroi i ndeshjes për Mançester Sitin, pasi bëri disa mbrojtje të mahnitshme për t’iu mohuar një varg rastesh për gola lojtarëve të Totenhamit. Të zgjedhurit e trajnerit Harry Redknap kërcënuan portën përmes sulmuesve Jerman Defo, Gareth Bale e më vonë edhe Roman Pavlyçenko, por mbrojtja e Sitit ishte në gjendje të eliminojë të gjitha kërcënimet.
Rasti më i mirë për vendasit erdhi pas 11 minutash kur Jermain Defo dërgoi një goditje të fuqishme nga afërsia, por Hart reagoi për të mbrojtur atë. 23-vjeçari nuk pati kohë të pushojë, pasi pesë minuta më vonë largoi edhe një korner, ndërsa më pas reagoi për të mbrojtur një top të goditur nga Tom Hudlestone. Disa sekonda më pas Hart përsëri reagoi në mënyrë të shkëlqyeshme, duke parandaluar një goditje të devijuar të Benoit Assou-Ekotto. Ai më pas shfrytëzoi këmbët për të ndaluar edhe një përpjekje tjetër të Defo. Kur Gareth Bale përfundimisht mposhti portierin, shtylla mbrojti portën e Sitit. Derisa Spursat krijuan raste të njëpasnjëshme, Siti dështoi të kërcënojë portën kundërshtare. Kapiteni i ri i formacionit, Karlos Tevez, si sulmues i vetëm dështoi të gjendet në mesin e mbrojtësve të Totenhemit. Pjesa e dytë ishte ca më e ekuilibruar me Totenhemin që dështoi të tregojë shkëlqimin e pjesës së parë. Zëvendësuesi Roman Pavlyçenko pati dy raste për ekipin vendas, por Hart përsëri reagoi për të nxjerrë një pikë për Sitin.

Blater: S’ka më barazime në ndeshje, penalltitë direk pas 90 minutëshit
NION - “Nuk do të ketë më barazime në ndeshjet eliminatore të Botërorit të ardhshëm, por edhe gjatë finaleve të këtij kompeticioni”. Me këtë deklaratë presidenti i FIFA-s, Josep Blater ka surprizuar edhe një herë të gjithë opinionin sportiv. Sipas numrit një të qeverisë botërore të futbollit kjo risi do të shtojë spektaklin, pasi të dyja skuadrat do të luajnë vetëm, për të shënuar. Blater ka thënë se nëse koha e rregullt do të përfundojë në barazim, atëherë skuadrat do t’i drejtohen menjëherë goditjeve nga pika e penalltisë. “Po reflektojmë në eliminimin e barazimeve gjatë ndeshjeve kualifikuese dhe finaleve të Botërorit. Nëse pas 90 minutave nuk do të ketë asnjë fitues shkohet menjëherë te penalltitë. Gjatë eliminatoreve skuadrat mendojnë vetëm të mos humbin duke i bërë ndeshjet e mërzitshme. Ndërsa me rregulloren e re do të mendojnë vetëm për të shënuar dhe fituar”, ka bërë të ditur Blater

Interi fiton trofeun e përvitshëm “Tim”
BARI - Interi ka fituar trofeun “Tim”, që hap sezonin futbollistik në Itali. Turneu i përvitshëm, i cili luhet mes Interit, Milanit dhe Juventusit u mbajt mbrëmë për të dhjetën herë. Fituesi u vendos pas tre ndeshjeve 45 minutëshe të gjata secila. Interi arriti të fitonte 1-0 sfidën me Juventusin falë golit të holandezit Shnajder, ndërsa takimin me Milanin që në lojë të rregullt u mbyll pa gola u zgjidh pas goditjes së 11 metërshave. Në barazim 1-1 përfundoi edhe përballja mes Juves dhe Milanit në 45 minutat e lojës, por kuqezinjtë triumfuan në 11 metërshat. Këtë vit trofeu Tim u zhvillua në stadiumin “San Nikola” të Barit. Ky aktivitet paraprin kampionatin Italian të futbollit, që nis më 29 gusht.

Beckham : Kapelo më ka zhgënjyer për vendimin
LONDËR - “Faleminderit, por nuk e pranoj i ka thënë Bekam një mikut të tij. Tani jam më i vendosur për të punuar që të kthehem në Kombëtare”.Vendimi i Fabio Kapelos për ta lënë jashtë Kombëtares angleze, ka qenë një goditje e papritur për Devid Bekam. Pa folur më parë me mesfushorin, trajneri i “Tre Luanëve” deklaroi në media se 35-vjeçari nuk bënte pjesë në planet e tij për eliminatoret e Euro 2012.Bekam është shprehur i “zhgënjyer nga vendimi i Kapelos”. Ndërkohë, lojtari i Los Anxhelos Galaksi ka refuzuar ndeshjen e lamtumirës, që drejtuesi i stolit të përfaqësueses angleze ia ofroi si mënyrën më të mirë që ai të përshëndeste tifozët. “Faleminderit, por nuk e pranoj, i ka thënë Bekam një mikut të tij. Tani jam më i vendosur për të punuar që të kthehem në Kombëtare”.

Verder e refuzoi interesimin e Realit për Ozil
MADRID - Verder Bremen, e ka refuzuar ofertën e Real Madrid për Mesut Ozil. Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Merengues, Jose Mourinho, pas ndeshjes miqësore ndaj Bayern Munchen. “Është një futbollist i madh dhe do të ishim të lumtur nëse do të vinte këtu. Por, trajneri i tij, Thomas Schaaf ka thënë JO”, shpjegoi trajneri portugez. Kontrata e Ozil me Verder skadon në vitin 2011 dhe Mourinho ka shtuar se Real nuk ka hequr dorë ende nga futbollisti 21 vjeç me origjinë turke, protagonist i madh i Botërorit të fundit me përfaqësuesen gjermane.

Bastos do të luajë në “Serinë A” vitin tjetër
LION - Mbrojtësi i majtë brazilian, Michel Bastos dëshiron që sezonin e ardhshëm të luajë në futbollin italian. Edhe pse ekipi i tij, Lyon, të mërkurën, përmes një komunikate për shtyp kishte konfirmuar se futbollisti nuk do të lëviz nga Franca, përfaqësuesi brazilian i ka shpalosur idetë e tija për të ardhmen. “Jam në dijeni për interesimin e Juventus dhe Bayern Munchen. Nëse largohem nga Lyon, prioritet imi do të jetë kampionati italian”, tha Bastos. Sipas të përditshmes italiane, Tuttosport, kartoni i futbollistit të krahut të majtë kushton 25 milionë euro.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›