Blerim Çela: Do të ishte fatale për FRD dhe AK nëse lidhin aleancë me partitë e mëdha
Ish deputeti dhe drejtuesi i selisë blu, Blerim Çela, në një intervistë për Shqip deklaron se një aleancë FRD- AK me parti të tjera që do të bashkohen me to do të bënte që ato të dilnin forcë e parë politike në vend.
Sipas tij, suksesi do të jetë i garantuar dhe kurrsesi këto dy parti nuk duhet të hyjnë në aleancë me dy partitë e mëdha. Nëse kjo gjë do të ndodhte, do të ishte një zhgënjim i madh. Çela u shpreh se dalja në skenë e këtyre dy partive të reja është domosdoshmëri e kohës.
PD- ja ka vetëm emrin e djathtë. Ajo është kthyer në një parti ku ligjin nuk e bëjnë statuti dhe forumet, por kryetari i përjetshëm me një klan të vogël njerëzish rreth tij, thotë Çela.
Edhe pse nuk është anëtar i FRD- së shpreh hapur simpatinë dhe mbështetjen për këtë forcë, e cila sipas tij do të bëjë të mundur ndryshimin e kësaj klase politike, që ka mbjellë vetëm konflikte, korrupsion, krim, uzurpim pushtetesh dhe vonim në marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për BE.
Duke e konsideruar si forcë të rinisë patriote, Çela shprehet për AK-në: AK lufton për Shqipërinë, forcimin e përparimin e saj kudo janë shqiptarët, për ti bashkuar ata në një shtet të vetëm sipas standardeve ndërkombëtare. Sikur vetëm këtë detyrë të kryente kjo parti, do ta justifikonte veten dhe do të mbetej përjetë një yll i Shqipërisë etnike.
Çela pohon se më 2013-ën PD dhe LSI do të marrin vetëm votat e nëpunësve të tyre dhe atyre që akoma se kanë kuptuar se çpo ndodh në Shqipëri sepse që në fillim ajo ishte një aleancë e panatyrshme e bazuar në leverdi reciproke.
Sipas tij, dy partitë e mëdha e kanë kthyer demokracinë në një fasadë të me frazeologji, por jo me vepra.