Tom Doshi: Berisha më ka shkatërruar biznesin. Po hakmerret për rezultatet në Shkodër
Tom Doshi, deputeti socialist, në një intervistë për Panorama, thotë se që kur ka hyrë në politikë, atij i është shkatërruar biznesi. Doshi thotë se sulmet ndaj tij vijnë për shkak të rezultateve në Shkodër.
Doshi thotë se në vitin 2009 për 3500 vota PS nuk mori dot deputetin e pestë, ndërkohë që aktualisht me Paulin Sterkajn ndarja e deputetëve në atë qark është 6 me 5, ndërkohë që Topalli deklaronte se PS do merrte vetëm dy deputetë.
Doshi thotë se në vitin 2011, PS drejton 8 komuna nga 16 njësi vendore të qarkut të Shkodrës.
Deputeti socialist thotë se është gjobitur 2.5 milion dollarë nga qeverisja e Berishës. Ai thotë se kur hyri në politikë kishte 10 milion dollarë pasuri të deklaruar.
Doshi thotë se ndjehet i qetë, por thotë se një ditë këta politikanë të mazhorancës do e humbasin pasurinë. Siç e kanë humbur edhe ministra në kohën e PS, duke e deklaruar pasurinë në emër të të tjerëve, sot e kanë të humbur. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me këta, sepse kështu ndodh me paratë e fituara pa djersë, thotë ai.
Doshi akuzon ashpër ministrin e Financave, Ridvan Bode, duke thënë se ka aksione në çdo kompani e ka përvetësuar çdo pasuri të vendit. Ai hedh po ashtu akuza të ashpra edhe ndaj djalit të Berishës si sekser i pushtetit. Doshi thotë se tani që Berisha ka marrë presidentin, kryeprokurori duhet të zgjidhet me 3/5.