E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blerja 250 miliardëshe e qeverisë amerikane

Shtetet e Bashkuara të
Amerikës shënuan një
epokë të re të sistemit bankar,
dje, me paraqitjen e planeve
për të blerë stoqe me një vlerë
prej 250 miliardë dollarësh, në
disa institucione financiare, një
ndërhyrje kjo në sektorin privat,
të cilën zyrtarët amerikanë e
kanë cilësuar si të detyrueshme
për të shpëtuar gjithë sistemin
bankar. Qeveria amerikane ka
ndjekur kështu shembullin e disa
qeverive të vendeve evropiane
që vendosën të rikapitalizojnë
disa nga bankat e tyre, një ditë
më parë. Sipas Presidentit amerikan,
Bush, kjo është një masë
afatshkurtër, që do të sigurojë
vlefshmërinë e sistemit bankar
amerikan dhe se ajo nuk ka për
qëllim që të veprojë kundër
tregut të lirë, por ta ruajë atë. Sipas
këtij plani, Thesari amerikan
do të blejë aksionet preferenciale
të institucioneve kryesore financiare
deri në një vlerë prej 25 miliardë
për çdo institucion. Ekzekutivët
e bankave duhet të pranojnë
kufizime në pagat e tyre
dhe standardet e qeverisjes së
korporatave. Sipas sekretarit të
Thesarit, 9 janë bankat që kishin
pranuar të pranonin ndërhyrjen
e qeverisë për të mirën e ekonomisë
amerikane. Kjo ndërhyrje e
qeverisë në sektorin privat as që
mund të mendohej të ndodhte
para krizës së kredive dhe ndodh
në krizën më të rëndë financiare
në vend, që nga periudha e
Depresionit të Madh. Masa e
fundit ka për qëllim stimulimin
e huave mes bankave dhe
rivënies në funksionim të
tregjeve financiare, stanjacioni i
të cilëve e ka çuar tashmë ekonominë
amerikane në recesion.
Masa të ngjashme me atë të
ndërmarrë në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës janë marrë në
disa vende të Bashkimit Evropian,
pas të cilave është rikrijuar
një lloj besimi tek investitorët.
Britania e Madhe, Gjermania,
Franca dhe vende të tjera vendosën
që të injektonin te bankat
problematike një kapital prej 1
trilion eurosh. Këtyre masave
pritet që t‘i bashkëngjitet edhe
Japonia me disa injeksione në
bankat rajonale, që kanë nisur të
shfaqin probleme. Për sa i përket
bursave, pas një momenti
pozitiv në fillim të ditës, ato
shënuan sërish rënie në përfundim
të ditës financiare. Megjithatë,
vihet re një lloj lehtësimi nga
ana e tregjeve, që ende mbajnë
shpresë se masat e ndërmarra do
ta ndreqin situatën. Me tre javë
që ndajnë popullin amerikan nga
vota presidenciale, kandidatët
janë përqendruar te propozimet
për programet ekonomike që do
të zbatojnë nëse vijnë në pushtet.
Kështu, republikani
MekKein, shpresat e të cilit sa
vijnë e po zbehen për fitore,
pritet që të bëjë një propozim për
të ndihmuar amerikanët të përballojnë
situatën. Demokrati
Obama lajmëroi se paketa e tij
ekonomike bazohej kryesisht në
një sërë masash ndihme për ekonominë
dhe popullatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›