Gaz, pavarësisht nga Rusia
Së shpejti në Evropë nuk pritet të ketë më banesa pa ngrohje, meqenëse Rusia dhe Ukraina kanë mosmarrëveshje me njëra-tjetrën. BE duhet të bëhet e pavarur prej furnizimeve me gaz prej Rusisë. Këtë dëshirojnë të paktën vendet që u prekën më thellë prej mungesës së furnizimeve me gaz javët e kaluara.
Në Budapest u hodhën bazat për një koncept të ri të furnizimit me gaz. Nga Azerbajxhani, i cili ka pasuri shumë të mëdha gazi, ky duhet t’i vijë në Evropës përmes një gazsjellësi tjetër. Kryeministri i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, bën reklamë për të përfituar porosi nga Evropa: “Azerbajxhani është një partner i besueshëm, ne e mbajmë fjalën. Ne bëjmë atë që themi dhe jemi të gatshëm ta mbështesim me forcë dhe vepra një projekt të ri furnizimi.”
Zgjidhja është Nabucco, një tubacion gazi që do të anashkalonte Rusinë dhe Ukrainën dhe, duke kaluar përmes Turqisë, do të lidhte rajonin e Detit Kaspik me Evropën. Turqia do ta mbështesë këtë projekt, sepse përmes këtij shpreson të marrë më tepër mbështetje për anëtarësimin në BE.
Por BE është ende e përçarë. Gjermania do ta mbështesë në parim ndërtimin e gazsjellësit, por ka ende rezerva. Nga do të vijë gazi përveç Azerbajxhanit, Turkmenistanit dhe Kazakistanit? Frika se mos gazsjellësi 8 miliardësh dikur mund të mbetet bosh, sepse mungojnë ofruesit e gazit, është e madhe.
Koncernet energjitike evropiane duan të përfshijnë edhe Iranin në projekt, i cili është vendi i dytë për nga sasia e rezervave të naftës në botë. Me gazin nga Irani gazsjellësi do të punonte me kapacitet të plotë. Por politikisht një gjë e tillë është e diskutueshme. Edhe pse Irani i ofron BE përkrahje të plotë, në takim nuk ishte ftuar asnjë përfaqësues iranian. Të pazgjidhura janë edhe problemet financiare. Me rreth 8 miliardë euro, gazsjellësi do të kushtojë dyfishin e parashikimeve.
Konferenca e parë evropiane për energjinë pas krizës së gazit tregon se ende mungojnë perspektiva për furnizimin që do të ishin më të sigurta se furnizimet nga Rusia.