Bllaca: Nuk do të ndalem

“Unë nuk jam Dëshmitari X. Unë vij prej folesë së krimit. Ata që më sulmuan e dijnë që kam aq dëshmi që kurrë nuk do të mund të rrëzohen, prandaj më sulmuan. Sidoqoftë, unë se kam në mend të ndalem në zbulimin dhe verifikimin e krimeve që janë kryer dhe për të cilat kam dëshmi”, është deklarata e parë e dëshmitarit bashkëpunues të EULEX-it, Nazim Bllaca, pasi ju sulmua shtëpia e tij pak para mesnatës.
Shtëpia ku Nazim Bllaca jeton me familje në fshatin Ribar, është sulmuar mbrëmë, pak pas orës 23. Sulmi sipas vlerësimit të vet Bllacës është kryer nga oborri i një shkolle që gjendet përballë shtëpisë së tij. Dëshmitari bashkëpunues i EULEX-it ka konfirmuar që misioni evropian për sundim të ligjit e ka gjetur armën me të cilën është kryer sulmi si dhe tashmë dihet drejtimi prej nga kanë ikur autorët e sulmit.
“Shpërthimi ka qenë jashtëzakonisht i madh, por unë prap po them që unë nuk e kam në plan të ndalem”, ka thënë Bllaca përmes telefonit për Indeksonline
Ai nuk ka pranuar të thotë nëse dyshon në ndokë për sulmin, sidoqoftë vlerëson se kjo lidhet padyshim me atë që do nis pas procesit Bllaca 3 ku ai do gjykohet për krimin që tashmë e ka pranuar, vrasjen e Ibush Kllokoqit.
“Bllaca 3 do përfundojë shumë shpejtë sepse unë e kam pranuar krimin e kryer. Procesi Bllaca 4 më pas do përfshijë strukturat më të larta të SHIK-ut, përfshi edhe Azem Sylen. Është e qartë tashmë se përfundimi i procesit Bllaca 2 ka nxjerrë një konkludim se hetimet rreth Azem Sylës duhet të zgjerohen edhe më shumë”, ka thënë ai.
Gjashtë personat e dënuar për shkak të dëshmive të tij janë, SHpresim Uka, Sadik Abazi, Shaban Syla, Bekim Syla,
Driton Hajdari, të cilët janë ndëshkuar me 54 vjet burg.
Driton Syla, Shpresim Uka dhe Driton hajdari janë në arrati. Fahredin Gashi në anën tjetër është dënuar me 17 vjet burg.
Nazim Bllaca në fund të bisedes me Indeksonline ka thënë se pas përfundimit të procesit “Bllaca 2” e kam paralajmëruar EULEX-in se tash e tutje duhet të jenë shumë me vigjilentë për sigurinë e tij.
“Pas pak do hyjmë në fazën që do të detyrohen persona shumë të rëndësishëm përfshi edhe ata që janë në politikë për tu përballur me drejtësinë dhe duhet pasur kujdes EULEX-i se si më mbron”, ka vlerësuar ai./Indeksonline/