Bllani: Rikthyem në shkollë 193 fëmijë që e kishin braktisur
E ulur prej gati 2 muajsh në postin e drejtores së Arsimit të Qarkut Durrës, zonja Ermira Bllani ka treguar për “standard” problemet, arritjet dhe perspektivat, sfidat që e presin sistemin arsimor në të ardhmen, si dhe mbështetjen e qeverisë “Berisha” në investimet, pa harruar t’i apelojë bashkisë kryesore në qark për më tepër bashkëpunim me DAR.
Cilat janë marrëdhëniet e DAR me pushtetin vendor dhe investimet në sistemin shkollor?
Unë në pozicionin e drejtuesit të DAR jam prirë që marrëdhëniet me
pushtetin vendor (komuna e bashki), pavarësisht cilës forcë politike i përkasin, të vendosen në një start të ri, duke besuar se të gjithë së bashku ne i përgjigjemi një qëllimi të vetëm, siç është edukimi i brezit të ri si qytetarë të ardhshëm që rrezaton vetëm vlera. Kam dëshirë që të prezantoj investimet e bëra në institucionet arsimore për vitin 2008-2009. Janë ndërtuar 4 shkolla të reja dhe rikonstruktuar 3 të tilla me vleftën 300000000 lekë të reja. Përfundon rikonstruksioni i tri shkollave të mesme për vitin 2009-2010. Do të ndërtohen në vitin 2010-2011 tri shkolla 9 vjeçare në Bashkinë Durrës, një në Shijak dhe një në Gjepale. Brenda javës përfundon pajisja e 7 shkollave të përfunduara, ku për çdo nxënës, vetëm për pajisje, i takon që shteti të ketë investuar 9000 lekë të reja. Investim më vete ka qenë edhe pajisja e bibliotekave në fillim të këtij viti shkollor me libra të rinj, që në total përbëjnë një investim prej 6.85 milionë lekë, nga i cili përfituan 12 shkolla 9-vjeçare dhe 4 të mesme. Përfitoj nga rasti që të shpreh shqetësimin tim që mjaft shkolla të qytetit të Durrësit, në kohë reshjesh, prezantojnë probleme të cilat kërkojnë detyrimisht ndërhyrjen dhe investimin e bashkisë e sigurisht këtu do të përmendja edhe detyrimin që ka ky institucion për lyerjen dhe ngrohjen e përvitshme të tyre. Mbetem me shpresë dhe dua të besoj që Bashkia e Durrësit të kthejë në prioritet për zgjidhje shumë nga problematikat në infrastrukturë që prezantojnë institucionet tona arsimore.
Si po ecën reforma e TIK (teknologjia e informacionit dhe komunikimit)?
Kam kënaqësinë të them se zhvillimi i teknologjisë së informimit dhe komunikimit brenda institucioneve arsimore mbetet një prioritet i DAR Durrës brenda prioritetit për arsimin të vetë qeverisë. Sot rrethi i Durrësit ka përfunduar 100% pajisjen e shkollave me kompjutera, të shoqëruar me shërbimin e internetit si në shkollat e mesme ashtu edhe ato 9-vjeçare, pa bërë asnjë diferencë fshat apo qytet. Më konkretisht shkollat janë furnizuar me 88 laboratorë informatike, 1283 kompjutera dhe 192 printerë, 114 laboratorë virtualë, lidhje interneti në 81 shkolla. Nga realizimi i këtij projekti përfitojnë 38379 nxënës dhe mbi 2000 mësues. Të gjitha këto shifra nuk besoj se kanë nevojë për koment. Unë thjesht ndihem e kënaqur që kam fatin të bëjë prezent arritjet e qeverisë, MASH dhe DAR në këtë drejtim.
ǒmasa janë marrë për fenomenin e braktisjes në sistemin 9-vjeçar?
Një nga prioritetet e MASH dhe të vetë ministrit aktual është zhdukja e fenomenit të braktisjes. Në këto kushte DAR ka hartuar një platformë pune që lidhet drejtpërdrejt me këtë problem. Kështu, është ngritur një grup pune, i cili për momentin ka identifikuar të gjithë nxënësit të cilët konsiderohen braktisës dhe arsyet e braktisjes së shkollës prej tyre. Janë përcaktuar 5 mësues të cilët do të merren veçmas me këtë kategori fëmijësh për t’u dhënë mundësinë e shkollimit atyre përmes asaj që ne e quajmë “shansi i dytë”. Janë realizuar dhe po realizohen takime me kryetarë të shoqatave të romëve dhe egjiptianëve si dhe po bashkëpunohet me organizata jofitimprurëse, për pjesëmarrjen e tyre në këtë proces si: “Save the Children dhe UNICEF. Është parë me vend të konsiderohet si partner në këtë proces edhe Universiteti i Durrësit dhe konkretisht Fakulteti i Edukimit. Si rezultat i punës së kryer është arritur të përfshihen në procesin e edukimit 163 fëmijë që deri tani janë konsideruar si braktisës dhe mbeten ende të pa përfshirë edhe 87 fëmijë të tjerë. I gjithë procesi po pasohet nga një monitorim i hollësishëm i gjendjes, i cili po realizohet nga sektori i Inspektimit në DAR.
Shkollat e mesme kanë hyrë në një sistem të ri shkollimi. ǒmund të na thoni se si po ecën ku proces në Durrës?
Kalimi nga sistemi 8-vjeçar në atë 9-vjeçar bëri që edhe kohëzgjatja e shkollimit në arsimin e mesëm të kalojë nga 4 në 3 vite. Por, risia e vërtetë e arsimit të mesëm nuk qëndron në kohëzgjatjen e tij, por në një konceptim të ri, që afrohet më shumë dhe më mirë me kërkesat dhe nevojat e të rinjve, të cilët përbëjnë jo vetëm pjesën më vitale të shoqërisë, por edhe atë më kreative dhe me synime tepër ambicioze. Ky format i ri konsiston pikërisht në krijimin e kushteve dhe të hapësirave për t’u dhënë mundësi të rinjve të nxënë dhe të formohen mbi standarde që nuk ndryshojnë nga ato të bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë e për më tepër për t’i bërë ata më të ndërgjegjshëm në profilizimin e aftësive të tyre, për të qenë më të përgatitur për jetën. Sigurisht që rezultati mbetet për t’u parë, edhe pse notat pozitive po vërehen që në këta dy muaj të parë.