E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: Mbi 6,000 të vdekurit nga A/H1N1, nis vala e dytë e përhapjes



Nisja e valës së dytë të përhapjes së gripit të derrit në vendin tonë, me nëntë raste të reja brenda javës së kaluar pas shumë mungese të sëmundjes, duket se është pjesë e një revanshi botëror të virusit A/H1N1. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi dje se numri i të vdekurve nga gripi i derrit i ka kaluar tashmë 6.000 dhe se shumë shtete po vuajnë përhapje masive të të prekurve.

Përhapja

“Në rang botëror, më shumë se 199 vende dhe territore kanë raportuar raste të konfirmuara nga laboratorët të gripit pandemik H1N1, përfshi edhe 6000 vdekje. Ndërkohë që shumë vende kanë ndaluar së numëruari rastet e njëpasnjëshme, sidomos të sëmundjeve jo të rënda, numri i identifikuar nga OBSH-ja ka gjasa të jetë shumë herë më i ulët nga numri i vërtetë i rasteve”, - bën të ditur OBSH.

Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon në total 482.300 raste me gripin e derrit, ku vendin e parë e mban kontinenti amerikan me 185067, ndjekur nga zona e Paqësorit Perëndimor me 138288 raste e më pas Evropa me mbi 78 mijë, Azia Juglindore me mbi 44 mijë, Mesdheu Perëndimor me mbi 22 mijë dhe në fund, Afrika me rreth 14 mijë raste.

Edhe në Shqipëri

Në raportimin e bërë para pak ditësh gjatë mbledhjes së Komitetit të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me situatën e virusit A/H1N1 është deklaruar se pas një periudhe qetësie gjatë muajve shtator-tetor, ky virus po rifillon të qarkullojë në popullatë, si dhe mësohet se gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja.

“Të gjitha rastet kanë pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar në sistemin tonë shëndetësor, kryesisht në QSUT. Ndërkohë, janë identifikuar raste me grip jo A/H1N1 çka dëshmon se në popullatë po qarkullon edhe virusi i gripit sezonal”, - bëri të ditur para disa ditësh zyra e shtypit në MSH.

A/H1N1

Si njerëzit, edhe derrat preken nga gripi (influenca, virusi), por ky lloj virusi nuk është i njëjtë me ata të njerëzve dhe shumë më rrallë na prek neve, për shkak të kontaktit të rrallë me derrat. Por, shpërthimi i fundit i këtij virusi është më ndryshe, pasi ai ka pësuar disa ndryshime dhe është aftësuar të kalojë prej njeriut tek njeriu dhe jo vetëm nga derri te njeriu.

Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me simptomat e gripit të zakonshëm dhe përfshijnë ethe e temperaturë, kollitje, dhimbje fyti, rrjedhje të hundëve, plogështi, dhimbje koke. Shumica e njerëzve me grip të derrave kanë diarre dhe vjellje. Pothuajse secili me këtë grip i ka së paku dy nga këto simptoma, por kjo nuk do të thotë se jeni prekur nga ky grip, pasi shumë sëmundje shkaktojnë këto shenja.

U takon analizave laboratorike të vërtetojnë nëse ky është gripi i derrave, grip i zakonshëm apo ndonjë sëmundje tjetër. Është sëmundje e organeve të frymëmarrjes të derrave e shkaktuar nga virusi i tipit A. Njerëzit, zakonisht nuk sëmurën nga gripi i derrave, por infeksioni ndër njerëz mund të ndodhë. Aktualisht, tek njerëzit është raportuar infeksioni me virusin e gripit të derrave, tipi H1N1.

Arrin në 144 numri i të vdekurve në Ukrainë

Bilanci i viktimave nga virusi i gripit të derrave në Ukrainë vazhdon të rëndohet gjithnjë e më shumë, ku vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën nëntë persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Ukrainës, vendi tani ka regjistruar 144 të vdekur dhe më shumë se 936 804 raste të gripit, 65913 prej të cilëve gjatë 24 orëve të fundit. Rajonet në Ukrainën Perëndimore vazhdojnë të kenë numrin më të lartë të rasteve të prekura nga sëmundje akute respiratore. Shkalla e aktivitetit në kryeqytetin Kiev është gjithashtu në rritje të shpejtë. Laboratori i testimit në Ukrainë ka konfirmuar virusin pandemik H1N1 influenca në mostrat e marr

a nga pacientët e dy rajoneve më të prekura.

SHBA

Kongresi miraton reformën në shëndetësi

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar me rezultat të ngushtë masat për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara. Projektligji tani duhet të miratohet nga Senati, i cili po përgatit versionin e vet. Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati duhet të arrijnë kompromis për versionin përfundimtar të projektligjit që duhet të miratohet nga një votim tjetër para se versioni përfundimtar i ligjit të nënshkruhet nga Presidenti amerikan, Barack Obama. Mbrëmë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një amendament për ndalimin e përdorimit të fondeve federale për abortin me përjashtim të disa rasteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›