Vazhdojnë shirat, dita e enjte, përmirësime
Dita e sotme do të vijojë me vranësira e reshje shiu të karakterit lokal të cilat në pjesën e dytë të ditës do të përfshijnë gjithë vendin. Deri në mesditë, pjesa më e madhe e territorit do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të lehta, përjashtim bën Jugu i Shqipërisë ku do të ketë vranësira dhe shira të dobët. Pjesa e dytë e ditës do të shtojë vranësirat duke bërë që i gjithë territori shqiptar të përfshihet nga shira. Shira më të konsiderueshëm do të bien në zonat malore veriore. Mbrëmja dhe nata do të dobësoje vranësirat dhe shirat, por sërish i gjithë territori mbetet i rrezikuar nga shirat e dobët. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie me 3 gradë në vlerat e mëngjesit edhe mesdita do të sjellë rënie me 1 - 2 gradë në vend. Ndërsa ditën e martë i gjithë vendi do të karakterizohet me shi dhe do të ketë ngritje të temperaturës me 1 gradë përkatësisht, në vendet malore 8 gradë/C, në vendet e ulëta 13 gradë/C dhe në bregdet 12 gradë celsius. Edhe ditën e mërkurë në vendin tonë shirat do të vazhdojë por me intensitet më të dobët, ndërkohë që temperaturat do të ngelen të njëjta. Përmirësime të ndjeshme do të vërehen ditën e enjte, veçanërisht në pjesën veriore dhe perëndimore të vendit, ndërsa zona juglindore do të jetë e dominuar nga vranësira dhe shira të dobët. Temperaturat përsëri do të pësojnë rritje me 1 gradë/C. Në zonat malore temperatura ditën e enjte do të jenë 8 gradë/C, në zonën e ulët 14 gradë/C dhe në bregdet 14 gradë/C. Ndërkohë e gjithë Evropa është përfshirë nga reshje të dendura dhe stuhi me rrufe.