E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllazh Slishkoviç, një bohem për Tiranën

Bledar KUKA- Krahasimi me Maradonën është bërë disi i shpeshtë, por Bllazh Slishkovici, me nofkën Baka, pati fatin të ishte një nga "Maradonat e para të Ballkanit", madje përpara George Haxhit. Njeriu që është caktuar në krye të Tiranës është një boshnjak i vërtetë ama kroat, i lindur në Mostarin e njohur në vitin 1959 dhe i njohur për jetën e tij aspak sportive, të paktën sa ishte futbollist.
Një karakter bohem, jashtë orareve, rregullave që krijoi shpesh probleme, ndaj edhe nuk arriti të luante në ndonjë klub të madh. Trajnerët e përfaqësueses së Jugosllavisë i vinin roje në grumbullim, por ai sërish dilte nga gardhi për kushedi se ku. Ku ta dërgonte shpirti i tij. Ndaj edhe u vesh vetëm 26 herë me fanellën blu dhe shënoi vetëm 3 gola. Pasi luajti me Velezhin e Mostarit, kaloi tek Hajduku i Splitit, por jo më shumë.
Pyetja e Bearcotit
Në një ndeshje Jugosllavi-Greqi, në stadiumin "Poljud" të Splitit, një njeri që po ndiqte takimin nga pjesa VIP, lëshoi këtë shprehje: "Kush është ky numri 8, ky mesfushori, si quhet? Do të pyesja gjithë botën vetëm që ta kisha". Njeriu që pyeti quhej Enco Bearcot, trajneri i Italisë kampione të botës më 1982, ndërsa numri 8 ishte Bllazh Slishkovici.
Gol nga kornia
"Baka" ishte i fiksuar pas golave të vështirë, në pozicione të prirët. Ai mbahet mend si njeriu që shënonte nga goditja e këndit. Madje këtë e bëri ndaj portierit më të mirë të Jugosllavisë, atij të përfaqësueses që quhen Tomisllav Ivkovic. Pasi provoi tri herë, më në fund Slishkovici e shënoi golin nga këndi dhe gazetari boshnjak, Hamza Bakshic vendosi që të mos shikonte më futboll për një kohë të gjatë pas atij goli.
"S'kam qenë i madh"
"Unë nuk kam qenë një lojtar i madh, - thotë me sinqeritet Slishkovici, - sepse nuk kam arritur të luaj në klube të mëdhenj dhe të fitoj trofe të mëdhenj. Unë kam qenë një lojtar që mbahem mend mirë për lëvizjet e mia në fushë". Lëvizje të tilla ai bëri shumë tek Velezhi, Hajduku, Peskara apo edhe Marsejë, Lens e Mylhaus në Francë, ndërsa braziliani Zhunior që luajti në krah me Zikon, Falkaon, Sokratesin apo Ederin është shprehur se "nuk kam luajtur ndonjëherë në krah të ndonjë lojtari më të mirë se Slishkovici.

Dy herë pranë turneve të mëdhenj
Si trajner Slishkovici ka disa vjet që punon, por jo aq shumë. Ai e la futbollin vonë, në moshën 39-vjecare duke luajtur në Mostar për Zrinjskin, pas 22 vjet karriere. Si trajner i Bosnjë-Hercegovinës punoi në vitet 2002-2007, ndërsa njëkohësisht ishte trajner i Hajdukut të Splitit në sezonin 2004-2005 e më pas tek Zrinjski në kampionatin boshnjak në sezonet 2005-2007. Karakteri i tij i rrëmbyer ka bërë që, në një rast, të largohej nga fusha bashkë me skuadrën i pakënaqur nga gjykimi. Për këtë u gjobit 2 500 marka gjermane.
Me Bosnjën, sidoqoftë, ka dhuruar emocione të mëdha. Eleminatoret e Euro 2004-ës i nisi me humbje 0-3 në Sarajevë ndaj Rumanisë, pastaj 0-2 në Oslo ndaj Norvegjisë. Por erdhi fitorja 2-0 në Kopenhagen ndaj Danimarkës. Ndeshja e fundit ishte në Sarajevë ("Koshevo") ndaj Danimarkës dhe fitorja do ta dërgonte Bosnjën në Europian. Përfundoi 1-1 ... Emocionet e dyta ishin në eliminatoret e Botërorit 2006. Barazim në Bilino Polje me Spanjën dhe po barazim me Serbi/Malin e Zi në Sarajevë. Ndeshja e fundit në Beograd, ku nëse fitonte do të shkonte në Botëror. Përballë vendasve dhe 60 000 tifozëve në "Marakana", ndeshja u humb 0-1 me gol të Mateja Kezhmanit. Në një Bosnjë të ndarë nga sherret etnike, Slishkovici u sha nga një pjesë e publikut mysliman "Baka ustash", "Baka, kockar", kjo e dyta i referohej fanellës së Kroacisë së cilës sipas atyre tifozëve Baka i qëndronte besnik.
Paralajmërimi
Ej, djema, trajneri i ri kërkon vec vrapim
Slishkovici vërtet ka luajtur futboll të nivelit të lartë para 20 vjetësh, por ai kërkon që lojtarët e sotëm të mos luajnë më ashtu. "Me përfaqësuesen boshnjake patëm probleme sepse lojtarët nuk vraponin aq sa duhet, - shprehet ai për median kroate, "Nacional", - nuk mund të zgjidhet më ndeshja vetëm me improvizim dhe teknikë, unë dua në skuadër lojtarë që të vrapojnë për 90 minuta".
Lojë kolektive, ndihmë për shokun
"Kur kam qenë tek Hajduku dhe Velezhi jam dalluar më shumë për pasimin e fundit për shokët që shënonin gol". Këto kujton Bllazho, pas kaq vjetësh. "Vahid Halilhoxhici i ka shënuar 80 për qind të golave të tij tek Velezhi falë meje, - vazhdon ai, - mund edhe të shënoja gol, por më shumë më pëlqente të pasoja". Këtë karakteristikë Baka do ta kërkojë edhe nga lojtarët e Tiranës.
Rroga? Në kombëtare, më pak se 5000 euro në muaj
Shumë më pak sesa kërkesat e Ivan Gudeljit, Vjekosllav Lokicës apo Matjazh Kekut (sipas burimeve pranë Tiranës). Bllazh Slishkovici mund të jetë kënaqur me një rrogë më të ulët se 100 000 apo 120 000 eurot në sezon, ndoshta me 60 apo 70 mijë të tilla. Kur ishte trajner i Bosnjë-Hercegovinës ishte ndoshta më pak i paguari trajner në Europë me më pak se 5 000 euro mujorë.
Trajneri i bardhebluve, si dyqanet me listë
Të paktën deri më 2006 ai ankohej se nuk ishte paguar rregullisht. Në një intervistë për gazetarin kroat Drazhen Mihic, Baka pohon se Hajduku i mbetej borxh 40 000 euro, ndërsa Federata Boshnjake duhej t'i jepte shumën e barabartë me 100 000 marka gjermane (afër 50 000 euro) për 14 muaj të papaguar.
Boshnjakët: "Nga Tirana në Marakanë"
Bosnja e re e futbollit e nisi rrugën e saj drejt botës me stacionin e parë të quajtur Tiranë. Një humbje 0-2 në miqësore, por në të cilën rezultati nuk kishte asnjë rëndësi për boshnjakët. Ekipi i Neptun Bajkos fitoi ndaj atij të Fuad Muzurovicit, ndërsa stafeta e trajnerëve të Bosnje-Hercegovinës u kalua dorë më dorë. Në një cikël atë e mbajti edhe Blazh Slishkovic, trajneri që Tirana e caktoi për të ndërruar faqe sezonin e ardhshëm. Slishkovici ishte në krye të përfaqësueses në eliminatoret e Botërorit 2006, ku ekipi i tij doli në vend të tretë pas Spanjës dhe Serbi/Mali i Zi, duke lënë prapa Belgjikën. Gjithë ecuria e përfaqësueses së këtij vendi është përmbledhur në librin e gazetarit Sinan Sinanovic me titullin "Nga Tirana në Marakanë" (Od Tirane, do Marakane)
25 qershor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›