E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllofi i policisë, heroina del paracetamol

Krimet e Rënda lënë në burg tre të dyshuarit dhe shpallin moskompetencën për çështjen, duke e kaluar dosjen në Prokurorinë e Tiranës. Nga 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike, vetëm disa gramë rezultojnë heroinë

Tiranë Buja e operacionit të policisë, ku u njoftua arrestimi i tre personave dhe sekuestrimi i sasisë prej 3.5 kilogramë është shuar dje në gjykatë. Edhe pse Krimet e Rënda caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të dyshuarve, çështja ndaj tyre pritet t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës për kompetencë, pasi lënda narkotike rezultoi paracetamol. Ky fakt pohohet nga burime të rezervuara, të cilat thanë se ekspertiza e kryer tregoi se sasia prej 3.5 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, rezultoi paracetamol. Sipas të njëjtave burime, mësohet se nga gjithë sasia e sekuestruar vetëm një pjesë shumë e vogël e saj, disa gramë kanë dalë heroinë. Duke pasur parasysh këtë fakt, por edhe armën që iu kap njërit prej të arrestuarve, përfaqësuesi i akuzës kërkoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Edmond Gërxhanin, Vebi Alioglu, Abdulla Kili. Gjykata e ka pranuar këtë kërkesë, duke caktuar masën shtrënguese të sigurisë për tre të arrestuarit, por njëherësh ka shpallur moskompetencën. Sipas vendimit të gjykatës, të tre personat dyshohen për “mbajtja, prodhimi dhe transportimi i substancave kimike”, ndërsa Edmond Gërxhani ka edhe akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Pas këtij vendimi, Krimet e Rënda vendosën ta kalojnë çështjen për hetime të mëtejshme pranë prokurorisë së Tiranës, pasi nga të dhënat e para kanë rënë dyshimet për trafik narkotikësh në bashkëpunim. “Deklarimin e Gjykatës së Shkallës së Parë ‘Për Krimet e Rënda’ Tiranë si Gjykatë jokompetente për shqyrtimin e mëtejshëm të akteve të sjella nga Prokuroria ‘Për Krimet e Rënda’ Tiranë dhe dërgimin e këtyre akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si Gjykatë kompetente” - thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës. Pak ditë më parë, policia e Korçës dhe më pas ajo e Tiranës kryen arrestimin e tre personave, të cilët dyshoheshin për trafik heroine në bashkëpunim. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, fillimisht policia arrestoi Edmond Gërxhanin, të cilit iu kap një armë zjarri tip pistoletë dhe sasia prej 2 kg e 392.4 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Më pas, policia ushtroi kontroll edhe në banesat e dy personave të tjerë, përfshi edhe atë të shtetasit turk me banim të përkohshëm të Tiranë, ku u bë e mundur sekuestrimi i sasisë prej 1 kg e 38 gramë lëndë e dyshuar heroinë. Por kjo sasi e dyshuar si lëndë narkotike rezultoi përzjerës kimik, sipas akt-ekspertimit përkatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›