E Diel, 1 Nëntor 2026

Një grevist përfundon në spital, ACR nuk lëshon pe

BULQIZË Minatori grevist Sali Alliu ka përfunduar dje në spitalin e qytetit të Burrelit, ndërsa ACR njoftoi sindikalistët që nuk është dakord për plotësimin e të gjitha kërkesave. Minatori Alliu është transportuar me një ambulancë të spitalit Bulqizë drejt Burrelit, mirëpo për afro katër orë askush nuk është kujdesur për shëndetin e tij. Luan Nika, kryetar i komisionit të grevës, shoqëronte grevistin Alliu, i cili sipas mjekëve kishte dhimbje koke, probleme me tensionin, të vjella dhe këputje të përgjithshme. Ai pohoi për “Mapo”-n se ndihej i fyer pse bluzat e bardha nuk i kanë dhënë ndihmën e kërkuar, madje mendonte se lënia në mëshirë të fatit ka qenë e qëllimshme. Ndërkaq, Nika tha se ai dhe kolegët e tij minatorë kishin marrë ditët e fundit mesazhe nga ACR për rritjen e pagës 20 për qind, kryerjen e investimeve dhe transparencën e tyre, pagesën për 20 ditë dhe gjithë periudhën e ndërprerjes së punës. Nëpërmjet mesazhit u thuhej minatorëve që kompania nuk është dakord të largojë drejtorin e minierës. Sipas këshilli sindikal, protesta dhe greva do të vazhdojë deri në nënshkrimin e marrëveshjes. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›