E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokada Atifete

Zgjedhja e Atifete Jahjagës në postin e Presidentes zhbllokoi krizën politike gjashtëmbëdhjetë muaj më parë. Por, sinjalet e saj të fundit, se do të mbetet në këtë zyrë pavarësisht marrëveshjes së tre liderëve, po e çojnë vendin në një krizë të re. LDK të mërkurën braktisi komisionet për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, në përpjekje për ta detyruar Jahjagën që ta lëshojë postin e Shefes së Shtetit.

Gruaja e cila ishte parë si zgjidhje për tejkalimin e krizës politikë në prillin e vitit të kaluar, po del të jetë pengesë për t’i çuar përpara reformat kushtetuese dhe zgjedhore.

Atifete Jahjaga ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje nga posti i Presidentes që t’i hapë rrugë zbatimit të marrëveshjes me të cilën ka ardhur në pushtet.

Në këtë situatë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar të mërkurën qëndrimin se nuk do të marrë më pjesë në komisionet që janë themeluar për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, përderisa nuk zbatohet marrëveshja e prillit të kaluar.

Kjo parti kërkon zbatimin e marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli, e cila ka paraparë përgatitjen e Kosovës për të shkuar në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale në fund të këtij viti, ndërsa në zgjedhje parlamentare vitin e ardhshëm.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë: të respektohet marrëveshja, e cila është arritur dhe të krijohen kushtet të përfundohen reformat dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Arben Gashi, deputet i LDK’së në një prononcim të mërkurën për Express.

“Ne vlerësojmë të paarsyeshme të marrim pjesë në ato komisione, të cilat kanë dalë si rezultat i një marrëveshjeje që nuk po respektohet”, ka shtuar ai.

Kreu i Qeverisë Hashim Thaçi po ashtu ka kërkuar që partitë të mos i bllokojnë proceset në vend pa iu referuar LDK’së.

Hajredin Kuçi i PDK’së thotë se zgjidhja nuk duhet të kërkohet përmes bllokadës, por përmes dialogut.

“Zgjidhja është me u ul në tavolinë edhe me bisedu dhe me i zgjidh problemet bashkë. Reformën zgjedhore askush nuk mund ta bëjë vetë”, ka thënë Kuçi për Express.

Arben Gashi thotë se partia e tij po ashtu nuk është kundër dialogut për të zbatuar marrëveshjen për zgjedhjet presidenciale, reformën kushtetuese dhe ligjore.

“Ne nuk jemi kundër dialogut, ne jemi për zbatim të marrëveshjes. S’ke çka me diskutu. Në mund të diskutojmë për ta zbatuar marrëveshjen, por jo dialogje tjera”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Nënkryetari i PDK’së ka thënë se procesi i reformave zgjedhore, reformave kushtetuese dhe çështja e Presidentes janë të ndara.

Sipas tij, kjo ka ndodhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se mandati i Presidentes nuk mund të shkurtohet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Këto janë çështje plotësisht të ndara. Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese; është marrëveshja politike dhe reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore me ose pa President, me ose pa vendim të Gjykatës Kushtetuese Kosova ka nevojë dhe duhet t’i bëjë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, zyrtarët e LDK’së thonë se Marrëveshja e prillit e kthyer në rezolutë në Kuvendin e Kosovës ka paraparë të ecin të tria proceset se bashku.

Kryetari i Komisionit për Ndryshime Zgjedhore, Haki Demolli i LDK’së ka thënë se s’ka zbatimin gjysmat të marrëveshjes qysh po kërkon PDK’ja.

“Marrëveshja e prillit e votuar në Kuvend në formë Rezoluta përmban zgjidhjen për Presidentin, procesin e ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore. Këto tri këto pika duhet të respektohen për të vazhduar reformën”, ka thënë Demolli, për Express.

Ndërkohë gjatë ditës së mërkurë është mbajtur mbledhja e Komisionit për ndryshime zgjedhore, nga ku janë dhënë deklaratat se partia më e madhe opozitare ka braktisur punën në procesin e ndryshimeve zgjedhore.

Anëtari i PDK’së në këtë komision, Halit Krasniqi e ka vajtuar veprimin e LDK’së dhe i ka lutur ta ndërrojnë qëndrimin.

“Është lajm i keq për komisionin, opinionin dhe institucionin. Ju ftoj që ta korrigjoni veprimin dhe komisioni ti kthehet punës normale”, ka ftuar Krasniqi.

Ndërkohë, anëtari i AAK’së në Komision, Blerim Shala ka thënë se veprimi i LDK’së e kthen komplet procesin në pikën zero pa rrugëdalje.

“Është situatë e komplikuar dhe goxha e rëndë dhe ne më së paku kemi kontribuar që të jemi në këtë situatë. Pra jemi në pikën zero dhe unë nuk e di rrugëdaljen nga kjo situatë, ose ajo mund të gjendet me një takim të përbashkët të liderëve të partive dhe të dyja komisioneve, atij për ndryshime kushtetuese dhe këtij për reformë zgjedhore”, ka thënë udhëheqësi aktual i AAK’së.

Për partinë e tretë në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosej procesi i reformave zgjedhore dhe kushtetuese po shihet si pronë private nga dy partitë më të mëdha.

“Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese janë duke u trajtuar nga PDK’ja e LDK’ja si pronë e tyre dhe nuk na befason aspak ky qëndrim i LDK’së sepse sikur që është nisur në mënyrë antikushtetuese marrëveshja për presidentin ashtu edhe po vjen fundi”, ka deklaruar Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje.

Reforma zgjedhore dhe kushtetuese ka nisur në prill të vitit të kaluar, kur PDK, LDK e AKR arritën marrëveshje për tejkalimin e krizës politikë dhe zgjedhjen e Atifete Jahjagës në krye të shtetet.

Procesi ka shkuar mirë deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykim se Jahjagës nuk mund t’i shkurtohet mandati me ndryshime kushtetuese.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›