Krasniqi: Jemi për bisedime me Serbinë

Gjithashtu, kryekuvendari Krasniqi, në takimin e parë me ambasadoren e ShBA-së, ka thënë se për të qenë të suksesshme dhe të frytshme këto bisedime duhet mbështetja e plotë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke shtuar se Kosova në vazhdimësi ka biseduar me Serbinë, mirëpo kjo e fundit asnjëherë nuk ka qenë e gatshme t’u përmbahet marrëveshjeve.
“Ne si institucione, në kontinuitet kemi qenë për bisedime, jemi për bisedime edhe me qytetarët serb të Kosovës, por edhe me Beogradin, por dëshirojmë që në këto bisedime Kosova dhe Serbia t’i heqin qafe të gjitha pengesat dhe mosmarrëveshjet që i kemi si dy vende fqinjë. Natyrisht këto bisedime duhet të na shërbejnë për t’u liruar nga mosmarrëveshjet, por për të mos krijuar probleme të reja dhe natyrisht për këto kërkojmë mbështetje nga SHBA-të por edhe nga BE-ja, pasi që me Serbinë gjatë gjithë këtyre viteve, shumë herë, kemi biseduar dhe jemi marrë vesh por ka rezultuar me mos marrëveshje. Qëllimi i bisedimeve është për t’i zgjidhur problemet mes dy vendeve tona”, ka thënë ai.
Krasniqi me këtë rast i ka dëshiruar mirëseardhje ambasadores Jacobson, duke konfirmuar edhe njëherë miqësinë e ngushtë mes Kosovës dhe ShBA-së.
Po ashtu, Krasniqi ka bërë të ditur se gjatë takimit të parë me ambasadoren Jacobson temë e bisedimeve ka qenë edhe reforma zgjedhore, si dhe amendamentimi i kushtetutës, sidomos ligjet që kanë të bëjnë me heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe amendamentet kushtetuese dhe për çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sot zonjën ambasadore e njoftova edhe për punën që është duke bërë parlamenti, në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin dhe funksionimin demokratik të institucionit tonë ku me të gjitha partitë politike kemi krijuar një kohezion demokratik dhe kjo mënyrë e funksionimit të Parlamentit do të vazhdojë. Sigurisht një temë e pakapërcyeshme ishin edhe reforma zgjedhore dhe amendamendimi i kushtetutës, sidomos ligjet që kanë të bëjnë me heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe amendamentet kushtetuese dhe sigurisht edhe për çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Ambasadorja Tracey ann Jocobson ka përgëzuar Krasniqin për punën e bërë deri më tani dhe ka shprehur interesimin e saj lidhure me prioritetet legjislative.
Takimin e parë me Jakup Krasniqin, Jakobson e ka quajtur si mundësi të mirë për t’u njohur me punën e bërë gjatë këtyre viteve dhe prioritetet e Kuvendit të Kosovës.
“Ishte një mundësi e mirë për mua që të dëgjoj lidhur me prioritetet legjislative, si dhe disa prej atyre punëve që janë kryer dhe që mbetën për t’u kryer, për derisa Kosova është duke shkuar drejt përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. E përgëzova z. Krasniqin për punën e bërë deri më tash dhe ishte mbresëlënëse për mua për të dëgjuar gjithë ata angazhim dhe përkushtim për punët e rëndësishme që do të arrihen. Po ashtu, patëm rastin të bisedojmë edhe për dialogun me Serbinë, përfshirë edhe sundimin e ligjit, si dhe për reformat e sistemit zgjedhor”, ka thënë ajo.
Edhe gjatë takimit të sotëm mes ambasadores Jacobson dhe kryekuvendarit Krasniqi, nuk janë lejuar pyetje nga gazetarët.