Thaçi: Mos bllokoni proceset

Ai në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ka thënë se pjekuria e spektrit politik të vendit ka luajtur rol të rëndësishëm në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
“Pjekuria dhe uniteti politik i qytetar kanë qenë vendimtar në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi. Reformat kanë qenë po ashtu faktor i rëndësishëm, që kemi bërë të kemi një vlerësim pozitiv ndërkombëtar”, ka theksuar Thaçi.
Për më tepër ai ka shtuar se 10 shtatori është fitore e koncensusit tonë të brendshëm, është sukses, është festë për gjithë qytetarët të Kosovës. Ai ka falënderuar ministrat për punën që kanë bërë, autoritetet lokale, spektrin politik, për kontributin që kanë dhënë për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Por sipas kryeministrit, pavarësia nënkupton përgjegjësi të plot dhe jo bllokim të proceseve.
“Pavarësia e plotë nënkupton edhe përgjegjësi të plotë. Tani e tutje edhe më shumë duhet të kemi përkushtim për përmbushjen e reformave demokratike shumë të nevojshme për realizimin e qëllimit tonë për anëtarësim të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian. Pra të gjithë duhet të angazhohemi në këtë objektiv dhe demokracia nënkupton participim, e jo bllokim”, ka deklaruar kryeministri.
Ndryshe mbledhja ka vazhduar me disa pika të rendit të ditës, siç është Projektligji për kontrollin e duhanit dhe pika të tjera./kosovapress/