Thaçi dhe Kuçi i japin këshilla LDK'së

Këto fjalë janë thënë pas largimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Komisioni për reformën zgjedhore. Ndërkohë ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për vendosjen e dialogut me serbët legjitim të veriut të Kosovës.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka thënë se reforma zgjedhore i duhet këtij vendi.
“U takon partive politike dhe Kuvendit të Kosovës, por demokracia nënkupton participim dhe jo bllokim. Reforma zgjedhore i duhet këtij vendi, i duhet qytetarëve për dy arsye. Për të shprehur vullnetin e vet dhe e dyta të respektojnë rezultatin zgjedhor”, ka theksuar Kuçi.
Ndërkohë i pyetur për publicitetin i cili i ishte dhënë ‘njohjes’ së Malit dhe më pas demantimit të tij, Kuçi ka refuzuar të jap komentet e tija, duke u shprehur se sqarimet për këtë janë dhënë nga zëvendëskryeministri Pacolli.
I pyetur se a është duke biseduar Qeveria e Kosovës me serbët ilegal të veriut, zëvendëskryeministri Kuçi ka shmangur përgjigjen e drejtpërdrejtë duke thënë se do të punohet të bisedohet më përfaqësuesit legjitim të asaj pjese.
“Ne do të punojmë me qytetarë legjitim serb atje. Ata duhet të kalojnë nëpër një proces zgjedhor. Ata që nuk e kanë shkelur ligjin dhe marrin pjesë në proces zgjedhor ne do t’i respektojmë”, ka thënë ai.
Ai ka pranuar se ka një ndërmjetësim edhe të faktorit ndërkombëtar për të biseduar me qytetarët e asaj pjese.
Ndërkohë, pas largimit të kryetarit të Komisionit për veteranët e UÇK-së, Azem Syla, numri dy i Qeverisë ka thënë se komisioni do të jetë funksional edhe më tutje.
“Ai komision do të jetë funksional. Ai komision ka nevojë të bëjë përcaktimin. Kryeministri personalisht është duke u marr me të drejtat e veteranëve dhe trajtimin e këtij ligji dhe po i bënë të gjitha përgatitjet që brenda këtij viti të procedohet në kuvend, ligji për veteranët”, ka thënë ai.
Lidhur me dërgimin e sms-ve nga Lëvizja Vetëvendosje, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se kryeministri nuk ka numër të telefonit dhe nuk di ku ja kanë dërguar sms-ët.
“Ne e kuptojmë demokracinë, demokracia nënkupton jo cenim të dikujt tjetër. Unë them që kryeministri kohëve të fundit nuk ka numër të telefonit dhe jam kurioz të di në cilin numër i kanë dërgu..... e kanë huq kësaj radhe”, ka deklarua numri dy i Qeverisë. (Kosovapress)
LDK nis bllokadën
LDK-ja e Isa Mustafës është tërhequr të mërkurën përfundimisht nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Këtë vendim e ka bërë publik, kryetari i këtij komisioni që është nga LDK-ja, deputeti Haki Demolli.
“Që nga sot LDK-ja nuk do të jetë pjesë e komisionit derisa nuk respektohet marrëveshja për presidentin e arritur në rezolutën të cilën e kemi përkrahur edhe ne”, ka thënë deputeti Demolli. Ai ka shtuar se LDK-ja do t’i kthehet punës së komisionit në momentin kur të ndryshohen rrethanat dhe kur PDK-ja do ta respektojë marrëveshjen për presidentin. Ky vendim, sipas anëtarit tjetër të LDK-së, Imri Ahmeti është imponuar direkt nga kryeministri Hashim Thaçi. “Qëndrimi jonë për t’u larguar nga komisioni na është imponuar direkt nga kryeministri Hashim Thaçi dhe nga askush tjetër”, është shprehur Demolli.
Nga ana tjetër nënkryetari i komisionit nga PDK-ja Halit Krasniqi i ka ftuar kolegët e tij nga LDK-ja që të vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga komisioni pasi që sipas tij ky është lajm i keq në kohën kur Kosova është në fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur’
“Është lajm i keq për komisionin, opinionin dhe institucionin. Ju ftoj që ta korrigjoni veprimin dhe komisioni ti kthehet punës normale”, ka ftuar Krasniqi.
Kurse përfaqësuesi i AAK-së, Blerim Shala e ka cilësuar këtë si një situatë të komplikuar për të cilën ka thënë se ai nuk di se cila është rrugëzgjidhja për momentin.
“Është situatë e komplikuar dhe goxha e rëndë dhe ne më së paku kemi kontribuar që të jemi në këtë situatë. Pra jemi në pikën zero dhe unë nuk e di rrugëdaljen nga kjo situatë, ose ajo mund të gjendet me një takim të përbashkët të liderëve të partive dhe të dyja komisioneve, atij për ndryshime kushtetuese dhe këtij për reformë zgjedhore”, është shprehur Shala.
Por për Lëvizjen Vetëvendosje ky veprim i LDK-së është tregues se PDK-ja e LDK-ja e kanë shndërruar reformën zgjedhore dhe kushtetuese në pronë private. “Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese janë duke u trajtuar nga PDK-ja e LDK si pronë e tyre dhe nuk na befason aspak ky qëndrim i LDK-së sepse sikur që është nisur në mënyrë antikushtetuese marrëveshja për presidentin ashtu edhe po vjen fundi”, ka vlerësuar Haxhiu, transmeton Koha.
Ajo ka propozuar që të vazhdoj puna e komisionit në çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve.