Bllokada e grurit nga Maqedonia dëmton bujqit

Me heqjen e masave të kushtëzuara për importin e grurit, në Kosovë ka filluar të ndjehen efektet e saj. Bujqit potencojnë se tashmë janë rritur kërkesat për shitje të grurit, e si rezultat edhe çmimin për një kilogram është rritur.
Për Azem Godancin nga Klina, ky vit nuk ishte edhe shumë i suksesshëm sa i përket shitjes së grurit. Tregun më të madh ai e kishte në Maqedoni, por kufizimet që i kishte vënë shteti maqedonas i kishin kushtuar këtij bujku. Që një kohë të gjatë ai merret me grumbullimin e grurit që kryesisht e ka të dedikuar për eksport dhe sivjet, siç thotë Azemi, nuk kishte shumë leverdi në këtë biznes. “Problemi është se ne biznesin tonë e kemi të orientuar drejt tregut maqedonas. Por, këtë vit kjo bllokadë na ka kushtuar se përveç që nuk kishim mundësi ta eksportojmë në tregje të Maqedonisë ndikoi edhe në uljen e çmimit për një kilogram. Madje nuk kishim llogari as në mullinjtë tanë me shitë grurin, meqë çmimi ishte shumë më i ulët sesa ai që e kishin blerë më herët”, thekson Godanci për portalin “Ferma Ime”.
Ai sqaron se me heqjen e masave të kushtëzuara për importin e grurit nga Qeveria e Maqedonisë, situata ka filluar të lëviz në aspektin pozitiv.
Por, nuk është vetëm Azem Godanci që ka pësuar nga kjo bllokadë. Elmi Thaçi thotë se ka pasur dëme të konsiderueshme, jo në aspektin material të prishjes së grurit, por në aspektin financiar. “Meqë ne kemi kombajnat tona këtë vit më shumë kemi marrë grurë sesa pare. Ne e kemi llogarit me një çmim shumë më të lart, sepse nuk na ka shkuar mendja se krijohen këto probleme që na bllokojnë edhe neve. Tash nuk e dimë se çka të bëjmë me këtë grurë. Një thes 50 kg e kemi llogaritur 21 euro, e tani ka rënë deri në 11 euro thesi. Kjo na ka kushtuar shumë”, thekson Thaçi.
Ndërkohë, Qeveria maqedonase, pas vlerësimit të stabilizimit të tregut, mori vendim për heqje të bllokadës.
Këtë shembull do të duhej ta ndjek edhe Kosova, thotë Elmi Thaçi. “Është shumë e çuditshme se pse Kosova nuk i mbron prodhuesit e vet, ashtu siç i mbrojnë shtetet tjera të rajonit. Me këtë do të sigurohej edhe tregu për secilin produkt që e prodhon bujku kosovar”, thekson Elmi Thaçi.
Përveç grurit, pritet të shfuqizohet edhe masa për import të kushtëzuar të miellit, meqë edhe ky segment i tregut është stabilizuar. Kjo mund të ndodhë deri në gjysmën e shtatorit.
Në anën tjetër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës, i është kundërpërgjigjur Maqedonisë. Me qëllim të marrjes së masave adekuate ndaj bllokadës së grurit nga Qeveria Maqedonase MTI ka marrë vendim për bllokimin e produkteve me përgatitjet prej drithërave, të miellit, niseshtesë apo qumështit; produktet e pastiçerisë apo prej brumërave si dhe produkteve tjera. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar të mbroj prodhuesit vendor dhe do të veproj në mënyrë pro-aktive dhe reagim të menjëhershëm sa herë që padrejtësisht ndalohet eksportimi i produkteve Kosovare tha Arta Istrefi zëdhënëse e MTI-së.
Kundër përgjigjen ndaj bllokadës së Maqedonisë nga MTI, e ka përkrahur edhe Oda Ekonomike e Kosovës .
Ndryshe, ky është viti i tretë që shteti maqedonas bllokon miellin dhe grurin e Kosovës, duke rënë në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s. /Indeksonline/