E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga sot administratës shtetërore i rritet rroga

Një ditë më parë zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, në një konferencë për mediat deklaroi se rritja e re e pagave mundësohet nga vijimi i një trendi pozitiv në ekonominë shqiptare, si dhe nga rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit prej 4 % si 8-mujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e re e pagave ndodh në një periudhë kur në mbarë rajonin dhe Europën, politikat e qeverive respektive kanë sanksionuar ngrirjen për një periudhë 3-5 vjet të nivelit të tyre të periudhës së para krizës, ose uljen në vlerë absolute, në përpjekje për të stabilizuar financat e çbalancuara të vendeve të prekura më thellë nga kriza.

Rritje më të moderuar, shpjegoi Haldeda, kanë pësuar pagat e larta dhe emërtesat politike të administratës publike, duke mundësuar ngushtimin e mëtejshëm në diferencimin e pagave që ekzistonin në vitin 2005. Që nga ky vit pagat shtetërore janë mbidyfishuar, duke ndikuar direkt në mirëqenien e qytetarëve shqiptare.

Konkretisht, mbi bazën e kësaj rritje, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26.831 lekë, në vitin 2012 bëhet 59.235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005.

Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22.683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58.098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005.

Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15.044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35.618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005.

Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30.655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55.944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005. Efektet e rritjes së pagave do të nisin që nga muaji korrik./Start/

                                                                                             2012-09-01 12:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›