Bllokimi i Kuvendit, dy nenet kundër skemës së PS
Opozita nuk do mund ta zbatojë më strategjinë e saj, për të marrë pjesë vetëm në diskutimet e lira në seancat plenare dhe më pas të largohet gjatë miratimit të ligjeve. Kjo për shkak se mazhoranca ka vendosur të ndryshojë këtë rregull, duke i kaluar diskutimet e lira në pesë minutësh, në fund të seancave plenare, pasi të mbarojë shqyrtimi dhe miratimi i nismave ligjore apo vendimeve të tjera, si pjesë e procesit legjislativ. Ndërkohë që në Rregulloren e Kuvendit do të forcohen masat penalizuese, për shkeljet e saj dhe të gjithë ata deputetë që do të tentojnë të prishin seancat, apo që do të shajnë e zihen gjatë jetës parlamentare, nuk do të dënohem më me dy javë por me 1 muaj përjashtim nga Kuvendi.
Rregullorja
Përveç aneksit që trajton çështjen e imunitetit të deputetit, Rregullores së Kuvendit do t’i bëhen dhe dy amendamente të tjera, për ndryshimin e nenit 45 dhe nenit 65. Në nenin 45 bëhet një ndryshim që ka të bëjë me mënyrën e organizimit të seancës plenare dhe më konkretisht me diskutimet jashtë rendit të ditës. Sipas amendamentit të paraqitur dje në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, nga deputetja Arenca Trashani, në emër të grupit parlamentar demokrat, parashikohet që diskutimet e lira të deputetëve për çështje të ndryshme, që s’kanë lidhje me rendin e ditës, të mos zhvillohen më në fillim por në fund të seancës plenare. Pavarësisht se ky amendament nuk është shoqëruar me ndonjë relacion të qartë sqarues, qëllimi i tij duket qartazi që ka të bëjë me sjelljen e opozitës gjatë seancave plenare. Tashmë me këtë amendament, opozita duhet të ndryshojë strategjinë e saj, të ndjekur deri më tani, ku merrte pjesë në diskutimet e lira dhe më pas largohej gjatë shqyrtimit dhe miratimit të projektligjeve. Me këto ndryshime, grupit parlamentar socialist do t’i duhet që të qëndrojë në pritje gjatë gjithë kohës, për të parë përfundimin e miratimit të ligjeve dhe për t’u futur në sallë vetëm në fund. Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës duhet të vijnë që në fillim të seancës, për të paraqitur në sekretarinë e Kuvendit emrat që do të marrin pjesë në diskutime. Por kjo nismë pritet të ketë dhe një efekt tjetër, për të bërë më të lehtë për mazhorancën, për të zhvilluar e qetë procesin legjislativ përsa kohë opozita ka vendosur që të mbajë marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin. Amendamenti i dytë, i paraqitur nga shumica, ka të bëjë me ndryshimin e nenit 65 i Rregullores dhe konkretisht i pikës dy të saj. Sipas këtij ndryshimi, bëhet e mundur që kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë, që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave, ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore nuk ndalohet më të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione, nga 2 deri në 15 ditë, por plot 30 ditë. Një masë shtrënguese kjo që gjithashtu kërkon të disiplinojë sjelljen e opozitës në Kuvend, e cila ka vendosur që gjithë veprimtarinë e saj parlamentare ta kanalizojë në debate të forta dhe pengim të zhvillimeve normale të seancave. Kjo do të sjellë gjithashtu që deputeti që do të dënohet edhe me mbajtjen e rrogës së plotë, për atë muaj kur dhe do të përjashtohet.
Debati
Por paraqitja e këtyre ndryshimeve në momentet e fundit dhe ngutja e mazhorancës, për t’i kaluar ato për miratim në seancën e jashtëzakonshme të ditës së mërkurë, ka sjellë jo pak debate, fillimisht në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ashtu edhe në dy mbledhjet e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, ku dhe janë miratuar. Burime nga këto takime kanë bërë të ditur se opozita ka kundërshtuar procedurën e ndjekur nga mazhoranca, për miratimin e këtyre ndryshimeve, ndaj nuk kanë rënë dakord fillimisht në Konferencën e Kryetarëve, me rendin e ditës së përcaktuar, për seancën e së mërkurës. Debati ka vijuar më pas dhe në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, ku mësohet se debatet kanë qenë shumë të ashpra mes përfaqësuesve të opozitës dhe Kryetares së Kuvendit. Kështu mësohet se opozita, me anë të Ruçit, ka kërkuar që ndryshimet e ardhura fillimisht t’i bëhen të njohura seancës plenare ditën e enjte dhe më pas të futen në kalendar, dhe të diskutohen më pas në organet përkatëse. Por kjo kërkesë ka gjetur kundërshtimin e prerë të shumicës, e cila ka këmbëngulur që ato të miratohen ditën e mërkurë. Siç mësohet, përfaqësuesit e majtë i kanë kujtuar Kryetares së Kuvendit se ajo ishte mbledhja e parë që pas 21 janarit ku shumica dhe opozita uleshin në një tryezë, ndaj ishte e pakuptimtë që të diskutoheshin gjëra kaq të rëndësishme, siç është imuniteti dhe ndryshimi i rregullores.