Koncesionet në METE, Naço shkarkon Krajën
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço ka filluar procedurat për largimin nga Shërbimi Civil të Sekretarit të Përgjithshëm të METE, Durim Kraja. Ministri Naço ka liruar nga detyra dhe Drejtorin e kabinetit, Z.Gjergji Kosta, ku vendin e tij do ta zërë Majlind Lazimi. “Lirimi nga detyra i funksionarëve të kësaj Ministrie bëhet në përputhje të plotë me ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil”, thuhet në njoftimin për shtyp. Mësohet se për Sekretarin e Përgjithshëm, Durim Kraja, kishin mbërritur edhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, raportet e auditit të brendshëm të vitit 2008, dy raporte të vitit 2009 për fushën e koncesioneve, si dhe Relacioni i paraqitur nga grupi i kontrollit për gjendjen e Protokollit. Kraja ka qenë Kryetar i Vlerësimit të Ofertave dhe shumë koncesione mbajnë firmën e tij. “Auditi i brendshëm do verifikojë të gjitha procedurat e bëra deri tani dhe për çdo shkelje që do të konstatojë, të gjitha materialet do t’ia kalojë prokurorisë”, thuhet në njoftim.