Taçi pas garancisë ofron dëshmi të reja për lirinë
Avokatët e biznemenit të karburanteve thonë se kanë siguruar prova që dëshmojnë dhunën e Mero Bazes, ndaj tij dhe bodigardëve
Depozitohet në Gjykatën e Tiranës, kërkesa për revokimin e masës së sigurisë ndaj pronarit të ARMO-s
TIRANË- Presidenti i kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, i akuzuar si njëri nga tre agresorët që rrahën gazetarin Mero Baze, nëpërmjet avokatëve të tij, depozitoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet kërkesën për revokimin e masës së sigurisë "arrest me burg", e dhënë në mungesë më 6 nëntor nga gjyqtarja Fahrie Budo.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë kësaj gjykate, të cilët saktësuan se brenda pesë ditëve, gjyqtarja Budo duhet të shqyrtojë këtë kërkesë penale të firmosur nga vetë i arrestuari Taçi, që ndodhet në dhomat e paraburgimit "Mine Peza" (302) në kryeqytet.
Mbrojtësit e Taçit dje paradite vizituan klientin e tyre në ambientet e paraburgimit 302, ku i kanë kërkuar firmosjen e kërkesës për revokimin e masës së arrestit ndaj tij.
Pas takimit një orësh avokatët iu drejtuan kryesekretarisë së Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku depozituan kërkesën për revokim të masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "detyrim për paraqitjeje".
Në këtë kërkesë mësohet se, mbrojtësit e Taçit, Maks Haxhia e Artan Hajdari kërkojnë nga gjyqtarja Fahrie Budo, të ndryshojë masën aktuale të sigurisë me një masë më të butë. Kjo kërkesë bëhet me pretendimin se klienti i tyre nuk përbën rrezikshmëri shoqërore, nuk do t'i shmanget drejtësisë dhe se ka një biznes të madh për ta drejtuar.
Bashkëngjitur këtyre pretendimeve, mësohet se avokatët, kanë depozituar edhe një sërë provash materiale, e cilësuar prej tyre si një kopje e kallëzimit penal ndaj gazetarit Mero Baze, përfundimin e akt-ekspertimit mjeko-ligjor të Irgen Selfos.
Ky ekzaminim, sipas tyre, provon goditjet që ka marrë nga gazetari Baze si dhe disa dëshmi të noterizuara të marrë personave të pranishëm në lokalin ku ndodhi dhunimi i gazetarit.
Këta dëshmitarë, sipas mbrojtjes, provojnë pretendimet e klientit të tyre, se ai nuk ka qëlluar gazetarin Baze, por e ka ndarë nga grindja me nipin e tij Irgen Selfo, I cili është i punësuar si Shef i Departamentit të shitjeve të kompanisë "Taçi Oil".
Kjo kërkesë e avokatëve mbrojtës, sipas Kodit të Procedurës Penal, duhet të shqyrtohet brenda një afati pesë ditor që nga dita e dorëzimit të saj. Kështu që në ditët në vazhdim, pritet që gjyqtarja Fahrie Budo, e cila pesë ditë më parë caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë ndaj të arrestuarit Rezart Taçi të shqyrtojë kërkesën për revokimin e kësaj mase, duke u përballur me prova të reja të sjella nga mbrojtja.
Taçi ofroi 100 mijë euro garanci për lirinë
Gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë me personin e arrestuar dhe komunikimin e kësaj mase, i arrestuari Taçi kërkoi nga gjykata t'i ndryshonte këtë masë kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë eurosh, kërkesë kjo që u rrëzua nga gjyqtarja Fahrie Budo.
Sipas akuzës, i arrestuari Rezart Taçi, nipi i tij Irgen Selfo dhe shoferi Bledar Lilo, mbrëmjen e 2 nëntorit kanë qëlluar me grushte në një lokal në zonën e ish-bllokut gazetarin Mero Baze, duke i shkaktuar dëmtime të shëndetit.
Neni 260
Revokimi dhe zëvendësimi i masave të sigurimit
1. Masat shtrënguese dhe ndaluese revokohen menjëherë kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre.
2. Kur nevojat e sigurimit zbuten ose kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet, gjykata e zëvendëson masën me një tjetër më të lehtë.
3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen, gjykata, me kërkesën e prokurorit, zëvendëson masën e zbatuar me një tjetër më të rëndë.
4. Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokim ose zëvendësimin e masës shqyrtohet nga gjykata brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj. Kur është rasti, gjykata vendos edhe kryesisht gjatë procedimit për sigurimin e provës ose gjatë gjykimit.