E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i bulevardit, mijëra ankesa në ditë nga qytetarët

“Edi Rama të heqë dorë nga shpërdorimi i funksionit të tij publik”. Prefekti i qarkut, Keltis Kruja, letër kryebashkiakut Rama, për zhbllokimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

Prefekti i qarkut të Tiranës, Keltis Kruja, nisur nga shqetësimet dhe ankesat e përditshme të banorëve të kryeqytetit, i bën thirrje kryebashkiakut Edi Rama, të zhbllokojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi instalimi i grevistëve aty, është në shkelje me ligjin “Për Tubimet”. Kruja, bën apel për normalizimin e lëvizjes në qytetin e Tiranës, i penalizuar rëndë, nga bllokimi i paprecedentë i arteries kryesore të qytetit.
“Me anë të kësaj shkrese përcjellim shqetësimin tonë lidhur me gjendjen e rënduar të trafikut të ditëve të fundit të ndikuar ndjeshëm nga bllokimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga subjekti Partia Socialiste. Shqetësimet vijnë nga kontaktet me banorët, grupet e interesit, disa nga organet e qeverisjes vendore dhe Drejtoria e Policisë Qarku Tiranë. Partia Socialiste ka shkelur ligjin “Për tubimet”, sipas të cilit nuk parashikohen tubime me më shumë se një ditë. Pas përfundimit të tubimeve, një grup deputetësh të Partisë Socialiste hynë në grevë urie, duke bllokuar kështu Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve”.
U drejtohemi organizatorëve të protestës, bashkisë së Tiranës, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë me kërkesën për zhbllokimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në funksion të normalizimit të situatës së trafikut, i cili me rëndimin e tij ndikon edhe në aspekte të tjera të jetës ekonomiko-shoqërore në jetën e qytetit të Tiranës. Në cilësinë e Prefektit të Qarkut Tiranë, ju kërkoj të mos përdorni funksionin publik në favor të funksionit politik dhe të ndërhyni në autoritetin tuaj si kryetar i bashkisë Tiranë, për zhbllokimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të bërë të mundur lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve në këtë arterie të rëndësishme të Kryeqytetit”, vëren në letrën e tij, Prefekti Kruja.
Ai citon më tej se organet policore i kanë bërë thirrje vazhdimisht Partisë Socialiste, për lirimin e segmentit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për sa kohë është në shkelje me ligjin, por nga zyra e PS-së s’është konfirmuar asnjë reagim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›