E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita injoroi mekanizmat ligjorë për transparencën e zgjedhjeve

Kryeministri Berisha takon kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit italian, Gianfranco Fini

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit italian, se ekzistojnë të gjithë instrumentet ligjore, për një zgjidhje korrekte të ngërçit, duke realizuar edhe transparencën e kërkuar nga opozita. Kreu i qeverisë theksoi se opozita, ka injoruar të gjitha hapësirat e krijuara nga ligji, duke vijuar rrugën e bojkotit.
“E sigurova Presidentin Fini se qeveria ime mbetet e vendosur të respektojë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari shqiptar, force politike apo organizate për të protestuar në mënyrë paqësore, në formën që ai konsideron më të përshtatshme. Sikundër jam dëshmuar dhe dëshmohem i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, transparencën e plotë të çdo procesi në këtë vend. Shqipëria është një vend me shtet ligjor dhe disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të saj. Unë shpresoj që opozita të përfitojë dhe e ftoj opozitën të përfitojë nga këto mundësi”, deklaroi kryeministri Berisha.
Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare është e vendosur të respektojë të drejtën e çdo qytetari për të protestuar në mënyrë paqësore dhe se mazhoranca është e hapur për transparencë të plotë përmes ligjit.
Në konferencën për shtyp me kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit italian, Gianfranco Fini Berisha falënderoi Finin për mbështetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Ishte një rast për t’i shprehur mirënjohjen time më të thellë Presidentin Fini dhe parlamentin italian, Kryeministrit Berluskoni dhe qeverisë italiane për të gjithë mbështetjen dhe avokaturën e shkëlqyer që i kanë bërë përpjekjeve të Shqipërisë, në projektet e saj të mëdha, integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Sikundër e sigurova mikun tim se për mua dhe qeverinë time ky proces është dhe do të mbetet gjithnjë një proces i bazuar në meritën. Ky është interesi jetik i shqiptarëve, është interesi kombëtar i tyre”, tha më tej, Berisha.
Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini deklaroi se Shqipëria duhet të bëjë përmirësime të mëtejshme drejt integrimit.
Ai u ndal në situatën e fundit politike dhe shprehu dëshirën për të një zgjidhje sa më të shpejtë, në respektim të Kushtetutës, ligjit dhe po ashtu edhe në mbështetje të rekomandimeve të gjithë komunitetit ndërkombëtar.
Sa i përket heqjes së vizave, Fini tha se Italia po punon shumë për përshpejtimin e këtij procesi për Shqipërinë.
“Gjithashtu Italia është duke punuar gjerësisht për mbështetjen dhe vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave, që, sikundër e tha edhe zoti Berisha, është një proces më se i rëndësishëm, pavarësisht sprovave të shumta që i është dashur të përballet e të kapërcejë qeveria shqiptare, pikërisht, sprova që i janë vënë përpara nga Bashkimi Europian”, deklaroi zyrtari i lartë italian, Gianfranco Fini.

Vlerëson Gianfranco Fini

“Heqja e vizave është meritë e progresit të shkëlqyer të Shqipërisë”

“Liberalizimi i vizave për shqiptarët është e merituar dhe nuk vjen si dhuratë, por Shqipëria i meriton sepse ka shënuar një progres për t’u admiruar”.
Kështu u shpreh dje Presidenti i Dhomës së deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini, në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Presidenti Fini tha se falë progresit, reformave dhe plotësimit të detyrimeve, liberalizimi i vizave për Shqipërinë pritet të bëhet brenda vjeshtës si një vendim krejtësisht i merituar. Kryetarja e Kuvendit, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që personalitet e politikës italiane po i japin Shqipërisë për heqjen e vizave dhe integrimin në BE, shprehu mirënjohjen për lobimin që Fini personalisht po bën edhe me krerë të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së për heqjen e vizave.
Shqipëria, tha ajo, i ka plotësuar tashmë të gjitha detyrimet teknike dhe kjo është shprehur edhe nga përfaqësues të Komisionit Europian. Kemi punuar intensivisht në parlament për të gjitha ligjet që janë detyrime për liberalizimin e vizave dhe do kisha dashur që edhe opozita të ishte pjesë e këtyre proceseve.
Si Kryetare e Kuvendit ajo tha se, i kam ftuar dhe vijoj t’i ftoj deputetët
e opozitës të zënë vendet e tyre në parlament duke shprehur të gjithë gatishmërinë dhe vullnetin për çdo kërkesë bazuar në Kushtetutë e ligj, për transparencën e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur. Kryetarja e Kuvendit dhe Presidenti Fini biseduan gjerësisht mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, veçanërisht në këto momente
vendimtare për Shqipërinë në prag të liberalizmit të vizave dhe statusit të
vendit kandidat në BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›