Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta: Rama përgjegjës për situatën, të pranojë dialogun, barrikadat nuk do ta çojnë asgjëkundi

Nr 2 i qeverisë shpreh keqardhje për grevën e socialistëve, ndërsa akuzon si përgjegjës të situatës Edi Ramën, pasi siç tha zv/kryeministri, nuk janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ligjor, për zgjidhjen e situatës
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u shpreh sot se kreu i opozitës Edi Rama, duhet të konsiderojë sa më parë dialogun me mazhorancën, për t’i dhënë fund kolapsit opozitar. Meta tha se një dialog ndërmjet Berishës dhe Ramës, mund të jetë zgjidhja e situatës politike, niur edhe nga gatishmëria e shprehur kaherë nga lideri i mazhorancës.
Unë mbështes vetëm dialogun, dhe çdo takim është veçse i dobishëm. E kam theksuar edhe më parë se duhet të heqim çdo barrikadë, pasi barrikadat nuk na afrojnë por na largojnë nga njëri-tjetri dhe nga zgjidhja, e cila do të risillte normalitetin politik edhe demokratik në vend. Dhe unë jam i bindur që Kryeministri Berisha është i hapur për t’u takuar me z. Rama pasi jam i bindur që është vullneti i mazhorancës për të ecur drejt një zgjidhjeje demokratike, konstruktive dhe jo konfrontuese. Por natyrisht që vullneti duhet të ofrohet nga të gjithë dhe e theksoj se dialogu është i vetmi mjet që ndihmon përfundimin e kësaj greve, të kësaj sakrifice që po bëjnë kolegët deputetë dhe përkrahësit e tyre, i cili njëkohësisht çon përpara edhe pretendimet e tyre. I rëndësishëm në këtë moment është apeli që unë dua të bëj për të hequr çdo lloj barrikade dhe për të konsoliduar dialogun. Dialogu është i vetmi mjet demokratik dhe konstruktiv që ndihmon në zgjidhjen e këtyre pretendimeve”, u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Ministri është shprehur i trishtuar për vazhdimin e grevës nga deputetët dhe mbështetësit e PS-së dhe pohoi se mënyra më e mirë për zgjidhje do ishte kombinimi i transparencës me Kushtetueshmërinë.
“E thashë këtë sepse nuk janë shfrytëzuar të gjitha hapësirat. Besoj se edhe përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar vazhdimisht kanë dhënë kontributin e tyre për të ecur në një rrugë demokratike dhe konstruktive. Kryesorja është vetëm vullneti nga të gjithë faktorët dhe aktorët. Ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat që përmes dialogut të arrihet dalja nga kjo situatë dhe të gjitha pretendimet e tyre për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të merren në konsideratë duke respektuar parimet e shtetit ligjor”, tha më tej, zv/kryeministri. Ilir Meta.