E Diel, 1 Nëntor 2026

Popullorët evropianë deklaratë të përbashkët në mbështetje të kryeministrit Berisha, për situatën politike dhe aspiratat e integrimit

“Janë për të ardhur keq thirrjet e z. Rama, për grevë urie, përveç bojkotit, gjë që tregon vendosmërinë e tij për vazhdimin e konfliktit me mjete të papranueshme, pavarësisht nga propozimet e shumicës parlamentare, për të arritur një kompromis. PS duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, i cili është certifikuar, krahas KQZ-së, edhe nga institucionet ndërkombëtare, vëzhguesit e të cilave ndoqën nga afër procesin”


Përmes një deklarate të përbashkët të firmosur nga personalitetet më të lartë të Bashkimit Evropian, Partitë Popullore Evropiane, kanë përcjellë sot mbështetje të plotë për qeverinë e kryeministrit Berisha dhe hapat e saj drejt realizimit të reformave demokratike. Deklarata e nënshkruar nga Wilfried Martens, President i PPE-ve, Franko Fratini, ministër i Jashtëm i Italisë dhe koordinator i ministrave të Jashtëm të PPE-ve, Elmar Brok, eurodeputet, Danjean Arnaud, eurodeputet dhe kryetar i nënkomisionit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Baldassarre Rafaele, eurodeputet dhe anëtar i Komisionit Parlamentar BE-Shqipëri, Busutill Simon, eurodeputet dhe anëtarë i Komisionit Parlamentar, Shqipëri-BE, Francesco Paolo Sergio sylvestris, eurodeputet dhe anëtar i komisionit Parlamentar, BE-Shqipëri, vjen pas takimit konstituiv në Bruksel të Komitetit parlamentar BE-Shqipëri, në një seancë të posaçme ku mori pjesë ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu. Populloret evropianë shprehin indinjatën e tyre për format e protestës të zgjedhura nga opozita, ndërsa i kërkon kësaj të fundit të zhvillojë debatin politik në Kuvend. PPE-të shprehin mbështetje të plotë për kryeministrin Berisha dhe Qeverinë e drejtuar prej tij, në ndjekjen e kursit të reformave dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane.


Deklarata e plotë e Partive Popullore Evropiane: “Opozita të respektojë Kushtetutën, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve” Partia Popullore Evropian mbështet fuqishëm kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e tij në hapat drejt forcimit të demokracisë dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. PPE shpreh shqetësimet e saj mbi situatën politike, të krijuar pas zgjedhjeve demokratike, të cilat u zhvilluan qershorin e vitit të kaluar. Partia Popullore Evropiane i kërkon Partisë Socialiste dhe opozitës, të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, të certifikuara nga KQZ, Kolegji Zgjedhor, Gjykata e Apelit dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare, vëzhguesit e të cilave ndoqën nga afër procesin. PPE e konsideron për të ardhur keq sjelljen e opozitës shqiptare, e cila kërkon që të anashkalojë institucionet legjitime të Shqipërisë dhe mjetet ligjore për kërkesat e saj, duke krijuar kështu shqetësim në zbatimin me urgjencë të reformave demokratike dhe ekonomike. Partia Popullore Evropiane kërkon nga opozita të respektojë Kushtetutën, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve, përfshirë këtu respektimin e vendimeve të Gjykatave dhe KQZ-së, si institucione të pavarura. PPE shpreh shqetësimin lidhur me thirrjet e z. Rama, për grevë urie, përveç bojkotit, që tregon vendosmërinë e tij për vazhdimin e konfliktit me mjete të papranueshme, pavarësisht nga propozimet e shumicës parlamentare, për të arritur një kompromis. PPE beson se pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është thelbësore për një dialog konstruktiv në një demokraci efiçente parlamentare. Këmbëngulim se një dialog mes shumicës dhe opozitës, duhet të kryhet brenda kuvendit. Kërkojmë fort që opozita të ndalojë menjëherë bojkotin dhe të fillojë një dialog konstruktiv brenda kuadrit të parlamentit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›