E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i kromit, Policia e Dibrës: Nuk shkelëm ligjin!

Policia e Qarkut të Dibrës thekson në komunikatën e saj, se të gjitha bllokimet e kromit nga kompani të fuqishme janë bërë në përputhje me ligjin dhe në asnjë rast nuk janë shkelur kompetencat e institucioneve të tjera.

“Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër përgënjeshtron shpifjet e kompanisë News 24 e Gazetës Shqiptare kundra strukturave të Policisë Dibër dhe Drejtorit të saj Shemsi Prençi, ku me qëllim mbulimin e vjedhjeve, falsifikimeve dhe vrasjeve në minierën e Bulqizës përdorin dhe manipulojnë përmbarues fatkeq që nuk njohin ligjin e kompetencat territoriale e ku për prononcimet e tyre shpifëse do të merren strukturat e Prokurorisë pasi Drejtoria e Policisë i ka denoncuar ato”, thekson reagimi i Policisë.

Më tej thuhet se kjo Polici, do të jetë e angazhuar maksimalisht për të luftuar krimin dhe korrupsionin.  “Ndjehemi krenar që sulmohemi nga e vetmja kompani mediatike pasi ky sulm bëhet me të vetmen arsye, mbrojtjen e veprimtarisë së paligjshme të firmës “KEVGER” me administratore Enkelejda Hysenbelliu, bashkëshorte e Kasem Hysenbelliut, kunata e Irfan Hysenbelliut (pronar të kompanisë mediatike News 24 e Gazetes Shqipetare) e cila shfrytëzon në Bulqizë galeritë minerare Nr.44 e 43”, thuhet më tej.

Dy ditë më parë, Policia e Dibrës bllokoi 14 kamion tip trajlet me krom, duke theksuar se ato ishin të shoqëruara me fatura të falsifikuara. “Nga verifikimet e deritanishme rezulton se automjetet kanë në faturat e shoqërimit të deklaruara përkatësisht gjysmën e mallit nga 24 deri në 30 ton. Në fakt ngarkesat e kamionëve variojnë nga 40 deri në 62 ton. Në total 14 kamionët e bllokuar nuk kanë deklaruar në fatura rreth 350 ton krom”, thuhej në njoftimin e dy ditëve më parë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-18 11:31
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›