E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i reformës parlamentare



Prej me shume se katër muaj ndryshimi i rregullores së Kuvendit është bllokuar. Të dyja palët thonë se e kanë të qartë se kush janë përgjegjësit e bllokimit.

"Mungesa e vullnetit politik nga ana e shumicës parlamentare", tha deputeti socialist Ditmir Bushati.

"Ping-pongu që bën opozita është i tillë që e mban të bllokuar çështjen", tha Jemin Gjana, deputet demokrat.

Me konkretisht, ato ku palët nuk bien dakord janë vetëm dy pika nga mbi 40 amendamente, që janë miratuar me konsensus nga grupi i punës. Barazia e kohës se deklaratave ne kuvend mes Kryeministrit dhe kreut të opozitës dhe mënyra si votohen anëtarët Gjykatës së Larte dhe asaj Kushtetuese. Demokratet thonë se këto ndryshime kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë, ndërsa socialistet kundërshtojnë.

"Të dyja këto janë çështje, të cilat mund të rregullohen fare mirë në rregulloren e Parlamentit, nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese, por kërkojnë thjesht mirëkuptim për ta konceptuar Kuvendin e Shqipërisë një platformë kolektive, pra një platformë të përbashkët dhe jo një xhep të Qeverisë", tha Bushati.

"Secili duhet të marrë dhe të lexojë Kushtetutën e vendit. Është e shkruar në mënyrë eksplicide në Kushtetutë, të hartuar nga kjo minorancë që është sot, kur ajo ka qenë në pushtet, Kryeministri ka të drejtë të marrë fjalën sa herë të dojë dhe kur të dojë në seancat e Kuvendit. Vazhdojnë të mbeten në një lojë të dyfishtë edhe për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Kanë sjellë edhe këtu propozime dhe problemin e kanë nëse do të votohen me shumicë të thjeshtë, kërkojnë në gjithë propozimet e tyre nuk kanë bërë kurrë fjalë nëse këto do të jenë të hapura apo të fshehta", tha Gjana, cituar nga Top-Channel.

Këto ndarje të forta, duket se nuk i japin shume mundesi miratimit te Reformës Zgjedhore në këtë pak kohë të mbetur deri ne publikimin e progres raportit. Por PS e PD qe kane kthyer ne tradite arritjen e kompromiseve në limitet e kohës, thonë se po, ka ende shans.

"Në rast se ka vullnet politik, çështja në letër, jo mënyra e zbatimit në praktikë, mund të adresohet për 24 orë. Grupi i punës është asistuar nga ekspertë të kontraktuar nga Qeveria Britanike, rregullat e Parlamentit Evropian për sa i përket mënyrës së votimit dhe dizenjimit të institucioneve të pavarura janë shumë të qarta dhe janë mbështetëse të propozimit tonë", tha Bushati.

"Nëse opozita do të tregohet e gatshme dhe të lerë lojët e dyfishtë dhe të vijë për të votuar këto për të cilat kemi rënë në dakord, është e mundur", tha Gjana.

Deputeti demokrat Gjana shton se PS ka rritur valvulat e bllokimit per reformën parlamentare, duke vene kushtin e miratimit te rregullores se kuvendit me 84 vota, në një kohë që vende të tjera demokratike thotë ai nuk e kane as ne nivelin e ligjit. Ndërsa socialisti Bushati thotë se edhe nëse miratohet ne letër reforma parlamentare, kjo është vetëm gjysma e asaj qe kërkon BE. “Zbatimi i rregullores ku mazhoranca duhet të demonstrojë heqjen dore nga imponimi ndaj pakicës me dhunën e kartonit, është një aspekt po aq i rëndësishëm qe Brukseli kërkon”, shton ai.

Palët gjithsesi janë ende larg firmës në letër, dhe akoma më larg zbatimit, çka bën që një nga reformat e domosdoshme për integrimin, te mbetet e paplotësuar, reforme qe lidhet drejtpërsëdrejti me Parlamentin, institucionin qe BE e cilëson si vendin nga ku duhet të burojë demokracia dhe dialogu. /Start/

                                                                                             2012-09-15 17:41
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›