Koment/ PS-ja përtyp teza leniniste për Sigurinë Kombëtare
Përdorimi i parimi leninist që, një gënjeshtër e përsëritur aq sa duhet, do të bëhet domosdo e vërtetë, duket se është një praktikë pune e kësaj opozite, sidomos, në kushte të çorientimit të organizuar të strukturave Partisë Socialiste. Shefi i opozitës po nis me radhë fushata politike dhe mediatike kundër anëtarëve të kabinetit qeverisës dhe kreut të saj, për të de-strukturuar komponentët bazë të palës kundërshtare dhe jo në ofrimin e një alternative kushedi se çfarë. Një herë përdor si flamurtar të një kauze adashin Ed Shalsi dhe për një herë tjetër keqpërdor Erjon Braçen për përgojuar për katër ditë me radhë një ministri të një vendi anëtar i NATO-s.
Sigurisht deputeti Braçe mund të jetë një njohës i zhdërvjellët i shifrave dhe i makinës llogaritëse, por duket sikur nuk ka njohuri për tregtinë e ligjshme të vendeve që kanë pasur ose kanë industri ushtarake, as për listën e zezë të OKB-së për kompanitë që kryejnë trafik armësh. Mjerisht Braçe do t’i mjaftonte të shkojë në sajtin e OKB-së për të kuptuar se kompanitë që operojnë në Shqipëri nuk janë në listën e zezë të saj, dhe që Shqipëria si çdo vend i këtij planeti bën me aq sa kaq një tregti modeste të armëve dhe municioneve, kur vende më të mëdha se ne në rajon apo në Europë kanë tregti me miliarda dollarë. Natyrisht atij nuk i kërkohet të dijë ose të informohet për kapacitetet e pakta ushtarake të Malit të Zi apo për faktin që ky vend fqinj i kërkon Shqipërisë që maksimumi ta ndihmojë në procesin e anëtarësimit në NATO duke ndjekur iterin e Forcave tona të Armatosura dhe minimum që vendi ynë të mos përdorë veton e saj në Aleancë për anëtarësimin e vendit fqinj. Dhe abuzimi me shprehjen se është cenim i Sigurisë Kombëtare shitja e predhave një kompanie malazeze, kur të gjithë janë të ndërgjegjshëm se interesi i ministrisë së Mbrojtjes është shitja ligjore e sa më shumë municioneve të tepërta, të cilat në të kundërt do të shkatërrohen dhe në vend të fitimeve sado minimale do të prodhojnë kosto financiare.
Sa për atë që me këto predha shitur një kompania të Malit të Zi mund të jetë nesër një kërcënim për Shqipërinë, është aq qesharake sa opozita greke apo italiane të akuzojë qeveritë vendeve të tyre për ndihmën që i kanë dhënë apo po i japin ushtrisë shqiptare.
Kuptohet vetiu, nuk ia vlen të diskutosh çështje të Sigurisë kombëtare me një politikan që suksesin më të madh në karrierë e ka në disa rrahje publike apo të shajë kundërshtarët politikë, më parë në organin zyrtarë të Partisë komuniste “ZP”, ndërsa sot te xhami i shtypit të partisë dalë boje, nga e kuqe në rozë. Por ky diskurs mund të shpaloset në disa rrafshe: si fillim kryetari i deputetëve të PS ka halë në sy ministrat e suksesshëm të qeverisë Berisha sepse kjo do të thotë përkthim të suksesin në një votë për koalicionin qeverisës dhe jo votë e munguar për alternativën e opozitës.
Duhet thënë se ndër ministrat e kabinetit Berisha, ministri i Mbrojtjes Imami është provuar si një bashkëpunëtor korrekt, me ide në reformimin e Forcave të Armatosura, sipas parimeve të mbrojtjes së zgjuar të konceptit strategjik të NATO-s. Forcat e Armatosura janë spiranca atlantike e kombit sepse është dhe i vetmi institucion që është rritur në profesionalizëm dhe garon e barabartë me ushtritë e vendeve të Aleancës të Atlantikut të Veriut në mision të paqes dhe sigurisë në botë. Padyshim strukturimi i FA-së dhe implementimi i plani të përhapjes të saj shkakton pakënaqësi ndër opozitarët e sotëm që kanë pasur gjithmonë idenë e një “furriku” ideologjik brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe shtabit të Përgjithshëm si vijueshmëri e partishmërisë së dikurshme. Është e njohur metafora se ushtarakët duke qenë një kastë janë konservatorë në kushtet shqiptare janë si shalqiri, pra jashtë jeshilë dhe brenda të kuq, është hera e parë në njëzet vjet pluralizëm që ideja e hapjes së ushtrisë ndaj komunitetit po pengohet prej gardianëve të kuq.
Padyshim ky investim i PS-së për të delegjitimuar një strukture të Sigurisë Kombëtare është, si të thuash, një hakmarrje e ftohtë për “zbulimin” agjendës së grupit të dhunshëm për demonstratën e 21 janarit. Por Partia Socialiste duhet ta dijë se duke qenë një vend anëtar i NATO-s, e cila përcakton në nenin 4 se “cenimi i pavarësisë politike” dhe rendi kushtetues i një vend anëtar nuk mund të tolerohet kurrsesi.
Në përfundim duhet thënë se lufta politike e opozitës dëften se ajo nuk ka principe përderisa investohet të angazhojë deputetët e saj në punë të papërgjegjshme që dëmtojnë stabilitetin dhe strukturat e sigurisë për motive të dobëta politike. Papërgjegjshmëria e deputetit Braçe është e frikshme për faktin që lufta politike detyron të përdorë metoda dhe mjete jo ligjore pa pikë turpi.
L. Lita