E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i rrugëve, firmat fituan tenderat, por nuk siguruan qarkullimin rrugor



Habjon Hasani

Tiranë - Në Shqipëri duket se bëhen vetëm tendera dhe asgjë nuk ndryshon, pasi paratë e taksapaguesve shkojnë në xhepat e privatëve pa u kryer asnjë punë. Pikërisht kjo gjë ka ndodhur edhe me tenderat për zhbllokimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, që zhvillon Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe disa bashki të vendit, të cilat së bashku, vetëm në muajt nëntor-dhjetor 2008, kanë shpërndarë rreth 200 milionë lekë në disa firma private, të cilat me këto lekë do të menaxhonin në muajt dhjetor-janar rrugët më të rrezikuara nga ngricat dhe dëbora në verilindje dhe në veri të vendit. Një burim i mirinformuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve i tha dje “Albania”-s se “për të parandaluar bllokimin e akseve rrugore në këtë sezon ngricash dhe dëbore janë zhvilluar normalisht tenderat për zonat më të rrezikuara të vendit, por deri tani rezulton se e vetmja gjë që ka shkuar normalisht ka qenë procesi i tenderimit, pasi rrugët janë thuajse jashtë kontrollit dhe situata në terren flet për një gjendje të paralizuar dhe të pashpresë të paktën dhe deri javën e ardhshme”.
Problemet
Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, bllokimi i akseve kryesore rrugore në verilindje dhe në veri të vendit ka limituar mundësinë e ndërhyrjes dhe në zona më të thella. “Është bllokuar dhe vështirësuar qarkullimi në rrugët dhe akset nyje në këto zona. Pra në akset më kryesore që lidhin zonat më të populluara. Ky bllokim dhe vështirësim në këto akse ka sjellë pasoja fatale për zonat më të thella, kryesisht në fshatra, pasi si pasojë e këtij bllokimi ka degraduar tërësisht mundësia për t’u ardhur në ndihmë nëpërmjet transportit rrugor fshatrave që ndodhen në zonat më të thella. Në një pjesë të mirë të zonave në verilindje dhe në veri të vendit e vetmja mundësi për ndihmë parësore është vetëm nëpërmjet ajrit, por dhe ky ngelet një opsion i vështirë për shkak të motit dhe reshjeve që sa vijnë dhe shtohen”, - i tha dje burimi “Albania”-s.
Bllokimi
Ndonëse pak kohë më parë janë zhvilluar tendera dhe disa subjekte private kanë përfituar para taksapaguesish për të zhbllokuar akset më të rrezikuara të veriut të vendit, situata aktualisht flet për një dështim perfekt. Për pasojë ka ndodhur që në gjithë gjatësinë e segmentit nga Kukësi deri në Qafë të Malit edhe mjetet me zinxhirë e kanë të vështirë të kalojnë, ndërsa makinat e tonazhit të rëndë e kanë pothuajse të pamundur të udhëtojnë për shkak të akullit dhe pamundësisë për t‘u ndërruar në rrugën e ngushtë. Në Tropojë të gjitha rrugët e komunave raportohen të pakalueshme, ndërsa rruga Bajram Curri - Qafë Morinë është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Mësohet gjithashtu se akset Kukës-Krumë dhe Krumë-Qafë Prushi janë të përshkueshme vetëm me zinxhirë dhe me shumë vështirësi. Madje që nga orët e para të mëngjesit e deri në mesditë, dhjetëra automjete me pasagjerë të linjës Krumë-Kukës kanë mbetur të bllokuar nga dëbora. Ndërsa rruga Kukës-Shishtavec dhe gati të gjitha rrugët e komunave të thella në Kukës mbeten aktualisht të bllokuara. Në qytetin e Kukësit aktualisht trashësia e dëborës është rreth 40 cm, ndërsa në zonat mbi 800 metra mbi nivelin e detit trashësia e dëborës arrin mbi 1 metër. Nga 14 komunat e rrethit të Kukësit, 9 prej tyre janë të bllokuara nga dëbora, që vazhdon pa ndërprerje që prej tri ditësh. Në disa prej tyre, si në Arrën, Grykë Cajë, Kalis, Zapod, trashësia e dëborës i kalon 1.5 metra. Nga Drejtoria Rajonale e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve mësohet se po punojnë pa ndërprerje 3 borëpastruese dhe një kamion për hedhjen e kripës. Po ashtu, në aksin rrugor Kukës-Domaj po punon një borëpastruese. Aksi rrugor nacional Kukës-Peshkopi mbetet i bllokuar bashkë me një numër fshatrash që ndodhen në këtë aks.

Drejtoria e Rrugëve i filloi tenderimet që në vitin 2005

Të dhënat publike zyrtare tregojnë se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, që prej vitit 2005 ka operuar me metodën e prokurimit dhe tenderimit për mirëmbajtjen e rrugëve. Kjo drejtori menaxhon 7 drejtori rajonale dhe 28 drejtori në rrethe dhe numri total i punonjësve është 1 mijë veta. Sikurse është parashikuar në Planin Kombëtar të Transportit të aprovuar nga qeveria, DPRR-ja pretendon se ka kryer procesin e reformimit dhe organizimit me qëllim ndarjen e funksioneve të “klientit” dhe “ofruesit të shërbimit”, pra duke e transformuar në një njësi qendrore menaxhimi. “Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve është duke çuar drejt privatizimit shërbimin e mirëmbajtjes si një objektiv i zbatimit të Projektit të Mirëmbajtjes të financuar nga Banka Botërore. Vazhdimisht inventari i rrjetit rrugor nacional është rritur këto vitet e fundit duke u futur në të shumë akse të reja dhe/ose të rikonstruktuara, të cilat duhet të shoqërohen detyrimisht me një mirëmbajtje më të specializuar. Për të përballuar këtë situatë është bërë shumë i domosdoshëm privatizimi dhe modernizimi i shërbimeve në sistemin e mirëmbajtjes”, -njofton kjo drejtori, ndërsa për vite me radhë, në sezon dimri, dhjetëra akse rrugore bllokohen tërësisht dhe bëhen të pakalueshme, duke sjellë në mënyrë periodike në vend një paralizim të disa prefekturave, kryesisht në verilindje dhe në veri të vendit.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›