Gjendet i vdekur 44-vjeçari, dyshohet nga i ftohti
LIBRAZHD - Një 44-vjeçar nga Librazhdi është gjetur i vdekur në banesë dhe sipas dëshmive nga të afërmit e tij dyshohet që ngjarja të jetë rrjedhojë e motit të ftohtë të ditëve të fundit. Burimet zyrtare pohojnë se viktima është gjetur në banesën e tij në Lagjen Nr. 1 në qytetin Librazhd. Sipas tyre, ai mund të ketë ndërruar jetë në orët e para të ditës së djeshme. Në lidhje me ngjarjen, policia vendore tha se ka nisur hetimet me dyshimet se vdekja mund të jetë shkaktuar nga temperaturat mjaft të ulëta të regjistruara në Librazhd, por po hetohet dhe mundësia që vdekja të jetë natyrale.
ISKSH-ja, grupe kontrolli në terren për situatën emergjente
TIRANË - Për të pasur nën kontroll situatën shëndetësore për shkak të vështirësive të krijuara nga moti i keq që ka përfshirë zonat e thella të vendit, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur grupe kontrolli në disa zona të thella për të verifikuar gjendjen. Nga të dhënat e deritanishme në terren rezulton se gjendja e qendrave shëndetësore përsa u takon medikamenteve është nën kontroll dhe mbulimi i zonave të thella me mjekë është zgjidhur me vënien në dispozicion të mjekëve të komunës më të afërt. Grupet e kontrollit janë nisur në komunat e Shkodrës, Dibrës, Tropojës për të parë nga afër nevojat e qendrave shëndetësore në këtë situatë emergjente, për përballimin e së cilës është ngritur tashmë një shtab emergjence nga qeveria.
Moti i keq lë pa energji disa fshatra në veri dhe juglindje
Shumë fshatra në veri dhe juglindje vazhdojnë të jenë pa energji si pasojë e defekteve në linjat e transmetimit, shkaktuar nga moti i keq. Grupet e punës së rregullimit të avarive, të ngritura nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) njoftuan dje se po punojnë për riparimin e defekteve në linjat e transmetimit 35 kilovolt në të gjitha zonat malore dhe juglindore të vendit, të cilat po përballen me motin e keq dhe të ftohtit, si pasojë e reshjeve të borës që kanë përfshirë zonat malore të vendit. "Edhe gjatë ditës së hënë grupet e gatishmërisë së OSSH-së punuan për riparimin e linjës në fidrat e fshatrave të Librazhdit, në fshatrat e largëta të Shkodrës, si dhe 2 fidra në linjën Velipojë-Plazh", - thanë burime zyrtare të OSSH-së. Sipas burimeve, gjatë ditës së diel nga OSSH-ja u riparuan brenda ditës dy linja 35 KV në Velipojë dhe Malësi të Madhe. “Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a bën të ditur se në linjën 110 KV Bushat-Lezhë, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave, më 3 janar kanë dalë jashtë funksionit 8 shtylla të tensionit të lartë”, - thanë dje burimet zyrtare të OST-së në kryeqytet. Kjo ka sjellë lënien pa drita të qytetit të Lezhës dhe rrethinat e tij.
OST-ja njofton se shtyllat e rrëzuara nga moti i keq do të zëvendësohen me shtylla të reja, proces ky që do të zgjasë 2 javë. Sipas drejtorit të OSSH-së, Sahit Dollapi, zonat me problematike kanë qenë në Kukës, Has, Tropojë, Malësi e Madhe, një pjesë e Lurës dhe Burrelit, Librazhdit dhe Korçës. Por Dollapi ka deklaruar se mbi 95% e territorit të vendit furnizohet me energji elektrike pa ndërprerje, me përjashtim të një komune në Arrëz të Peshkopisë.
6 Janar 2009