E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sporti në 365 ditë, të gjitha ngjarjet sportive të vitit 2008



Gazeta “Albania” paraqet për lexuesit e saj një “Super-ditar” special me të gjitha ngjarjet futbollistike të vitit 2008. Një kronikë e hollësishme e asaj që ka ndodhur ditë pas dite me Kombëtaren, legjionarët, merkaton e të gjitha detajet e jetës sportive futbollistike.

Janar 2008
Trajneri i ri i Shqipërisë, Ari Han, firmosi zyrtarisht kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit. Holandezi është trajneri i gjashtë i huaj i përfaqësueses dhe i 19-ti në historinë 61-vjeçare të kombëtares. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve deklaroi se Shqipërinë e sheh në vend të katërt, pas Hungarisë dhe Maltës, pasi sipas tij tre ekipet e tjera - Portugalia, Suedia e Danimarka - janë ekipe të mëdha.
* * *
Kombëtarja shqiptare ka pasur fat të paktën në shortin e hedhur në Danimarkë për orarin e Grupit 1 eliminator për botërorin “Afrika 2010” pasi dy ndeshjet e para do t’i zhvillojë në shtëpi. Fushata kualifikuese do të fillojë më 6 shtator përballë Suedisë, ndërsa katër ditë më vonë kuqezinjtë do të kenë përballë modestët e Maltës. Fushata kualifikuese mbyllet me ndeshjen që do të zhvillohet në Suedi më 14 tetor.
* * *
Vetëm pesë lojtarë që aktivizohen në kampionatet e huaja janë në listën prej 24 futbollistësh të propozuar nga zëvendëspresidenti Bujar Kasmi trajnerit holandez Ari Han për grumbullimin dhjetëditor në Antalia të Turqisë, nga 14 janar deri më 23 janar 2008.
* * *
KËMBËT E PASTRA. Kush shet ndeshje, dënohet me 7 vjet burg. Projektligji i ashtuquajtur “këmbët e pastra” do të dërgohet në Kuvend për miratim.
* * *
Gjashtë zyrtarë të grupit të kontrollit nga Ministria e Financave dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mbërritën në dyert e Federatës Shqiptare të Futbollit për të kryer auditimin e llogarive të qeverisë së futbollit shqiptar.

Shkurt 2008
Edgar Çani, talenti shqiptar i Peskarës, realizoi një hap të madh në karrierën e tij të re sportive, atë të kalimit nga Peskara e Serisë C1/B në Serinë A, te Palermo. Sulmuesi shqiptar Xhulian Rrudho është transferuar në Serinë C2 italiane te skuadra e Skafatit. Mbrojtësi 19-vjeçar i Vllaznisë, Klodian Semina, firmosi për skuadrën bullgare Belastica.
* * *
Holandezi Ari Han do të jetë trajneri i shtatë i përfaqësueses shqiptare që do të përballet me Poloninë në ballafaqimin e 11-të midis dy kombëtareve respektive, përfshirë ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore. Miqësorja e 27 majit kundër Polonisë të drejtuar nga holandezi Leo Benhaker është njëherësh edhe e pesta midis vendeve, qysh kur Polonia dhe Shqipëria u përballën për herë të parë, më 6 nëntor të vitit 1949, takim i përfunduar me fitoren e polakëve 2-1.
* * *
Maqedonia U-21 na kthen reston duke fituar 1-0 në Vlorë, ndërkohë që në miqësoren vitit 2007, Shqipëria U-21 fitoi po 1-0 në Manastir.
* * *
Shteti ngre flamurin e bardhë, dorëzohet përballë FIFA-s.
Ministri Pango pranon firmosjen e statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit brenda së hënës.
* * *
Shqipëria, falë edhe përllogarijeve të ndeshjeve të ekipeve të tjera në botë, është ngjitur në vendin e 73-të në renditjen e përmuajshme të FIFA-s, ose shtatë vende më lart në raport me muajin janar 2008, duke përfituar edhe një bonus prej 14 pikësh.
* * *
24 orë përpara skadimit të afatit të vendosur nga FIFA dhe UEFA për firmosjen e statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka dhënë fund edhe zyrtarisht konfliktit 3-vjeçar. Ministri Ylli Pango firmosi ndryshimet në statutin e Federatës së futbollit duke bërë realitet ata që kishte paralajmëruar vetëm pak ditë më parë.
* * *
Kupa e Shqipërisë ka njohur 8 skuadrat çerekfinaliste të saj. Tirana, Dinamo, Partizani, Elbasani, Vllaznia, Teuta, Besa dhe Kastrioti janë skuadrat që do të luftojnë për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.

MARS 2008
* * *
Organizmi më i lartë botëror i futbollit, FIFA, pezulloi Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.
* * *
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka humbur një vend në renditjen e fundit të FIFA-s, duke u pozicionuar e 74-ta mes të gjitha shteteve. Kombëtarja e drejtuar nga holandezi Ari Han ka aktualisht 416 pikë në renditje.
* * *
Tragjedia e Gërdecit, ku mbetën mbi 150 të plagosur, disa edhe shumë rëndë, ndërpreu edhe aktivitetet sportive në vend të programuara për ditën e shtunë, si gjashtë ndeshjet e Kategorisë Superiore ashtu dhe pesë të mbeturat për t’u zhvilluar nga Kategoria e Parë.
* * *
Duka fiton betejën e parë me bojkotuesit rebelë. Fushaj: “Ansamble brenda 15 ditësh”. Duka: “OK, por jo me presion të politikës”. Futbolli shqiptar është mbërthyer në një krizë totale, ndërkohë që dhe e ardhmja e Ari Han si trajner është e pasigurt. Han thotë të kundërtën: “Unë nuk dua të largohem nga Shqipëria”.
* * *
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, pohoi se institucioni i tij edhe pse nuk dëshironte të ndërmerrte masën ekstreme, pezullimin nga aktivitetet ndërkombëtare. Blater: “Ne nuk kemi të bëjmë me qeveritë apo me ligjet e një shteti. Viktimë jo Shqipëria, por futbolli e tifozët”.

PRILL 2008
* * *
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës Bamir Topi në “fushën e futbollit”, duket se prodhoi edhe fundin e një konflikti 3-vjeçar midis shtetit shqiptar dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, pasoja e të cilit ishte edhe pezullimi ndërkombëtar i Shqipërisë nga FIFA e UEFA për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike.
* * *
Shqipëria vazhdon të humbasë terren në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Në klasifikimin e muajit prill, kuqezinjtë kanë humbur edhe dy vende të tjera në raport me muajin mars. Nga vendi i 74-t që mbanin një muaj më parë, tashmë kombëtarja shqiptare është klasifikuar në vendin e 76-të në kuotën e 418 pikëve.
* * *
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe kreu i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, priten të takohen gjatë festës së organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me rastin e marrjes së ftesës së Shqipërisë për t’u bërë anëtar i organizatës më të madhe ushtarake në glob, NATO.
* * *
Qitësja shqiptare Lindita Kodra, kampione e Europës në garën “qitje me zjarr në distancë 25 metra” dhe e kualifikuar për “Pekin 2008”, u rendit e katërta në botë midis 60 pjesëmarrësve të garës në Kupën e Botës të Qitjes, që u zhvillua në Kinë.

MAJ 2008
Katër lojtarë të Kastriotit Elton Grami, i cili luante edhe rolin e shoferit, Erion Rizvanolli, Erald Turdiu dhe nigeriani Xhejms Osusi, kanë parë vdekjen me sy. Gramit i doli makina jashtë kontrollit duke kryer një aksident spektakolar në Tapizë.
* * *
2-0. Trofeu i 56-të i Kupës së Shqipërisë i takon Vllaznisë, që e fiton atë pas 21 vjetësh për herë të gjashtë në historinë e klubit më të vjetër në Shqipëri. Vllaznia dominoi plotësisht duke fituar 2-0.
* * *
Kolona zanore që shoqëroi dorëzimin e trofeut nga ana e Presidentit të Republikës, kapitenit të Dinamos, Arian Pisha, i siguroi njëherësh edhe titullin e 17-të kampion Dinamos, që fitoi në javën e fundit 2-1 me Partizanin, edhe pse blutë luajtën për shumë minuta me nëntë lojtarë.
* * *
Sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani, fitoi për herë të tretë “Këpucën e artë” si golashënuesi më i mirë i sezonit 2007-2008. Ish-futbollisti i Tiranës realizoi në Kampionatin e 69-të Kombëtar 20 gola.
* * *
Verdiktet e sezonit 2007-2008: Kampion, Dinamo; Kupa e Shqipërisë, Vllaznia. Play-out: Teuta, Kastrioti. Bien nga Kategoria: Besëlidhja, Skënderbeu. Në Europë: Liga e Kampioneve,
Dinamo, Kupa UEFA: Vllaznia, Partizani. Kupa Intertoto: Besa
* * *
Shqipëria e Ari Hanit u shfaq shumë e zbehtë dhe pa forcë në miqësoren e humbur minimalisht 1-0 me Poloninë në Reutlingen të Gjermanisë. Një humbje identike me atë të 29 majit të vitit 2005 në Szecin të Polonisë, ku dhe atëherë humbëm po 1-0 dhe me një gol të minutës së tretë nga ana e kapitenit polak Zuravski.

QERSHOR 2008
Sokol Jareci, gjyqtari ndërkombëtar shqiptar, do të arbitrojë të mërkurën ndeshjen miqësore Spanjë-SHBA, njëherësh edhe takimi i tretë historik midis dy ekipeve, pas dy të parave në vitin 1950 dhe në vitin 1992.
* * *
Besa me barazimin 1-1 në Qipro arriti një kualifikim spektakolar në Kupën Intertoto kundër Ethnikos Aknasi (takimi i parë në Tiranë u mbyll 0-0), duke kaluar për të dytin vit rresht turin e parë të një kompeticioni europian, pas atij të sezonit të kaluar në Kupën UEFA kur eliminoi serbët e Bezaninjës (dhe atëherë me dy barazime: 2-2 në Beograd, 0-0 në Tiranë).
* * *
Spanja bëhet fituese e Kampionatit Europian të Futbollit të zhvilluar në Austri e Zvicër, duke mundur në finale Gjermaninë (1-0), falë golit të Fernando Torresin.

Korrik 2008
* * *
Besës së Kavajës nuk i duhet të luftojë në “Niko Dovana” me zviceranët e Grashopers për të përmbysur deficitin e ndeshjes së parë (1-2), por edhe kundër kompanive ndërkombëtare të basteve, që e shohin dukshëm jo favorite skuadrën shqiptare. Besa humbi 3-0 në Durrës me Grasshopersin, duke u eliminuar nga Kupa Intertorto në turin e dytë.
* * *
Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, merr pjesë në Ligën e Kampioneve. Fituesja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia, merr pjesë në Kupën UEFA dhe nënkampioni i sezonit të kaluar, Partizani, gjithashtu merr pjesë në Kupën UEFA.
* * *
Pas kundërshtarëve mediatikë, Turqi, Slloveni, Armeni, më në fund Federata Shqiptare e Futbollit ka mundur të gjejë kundërshtarin real për datën e lirë të 20 gushtit, Lihteshtejnin.
* * *
Vlllaznia fitoi 2-1 me Koperin në Slloveni, në ndeshjen e parë të Kupës UEFA, ndërkohë që Partizani barazoi 0-0 me Shiroki Brjieg në Bosnjë. Për Ligën e Kampioneve, Dinamo humbi 2-0 në Tiranë me Modricën nga Bosnjë-Hercegovina.

GUSHT 2008

Vllaznia u kualifikua me dinjitet në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, duke e ruajtur të pastër portën në “Loro Boriçi”, në barazimin 0-0 me sllovenët e Koperit, teksa takimin e kishin fituar dy javë më parë me rezultatin 2-1. Në ndeshjen e kthimit, Vllaznia barazoi 0-0 me Koperin në Shkodër, Partizani humbi 3-1 në Tiranë dhe Dinamo humbi 2-1 në Bosnjë.

* * *
E vetmja skuadër e kualifikuar nga skuadrat shqiptare, që morën pjesë në Kupën UEFA dhe Ligën e Kampioneve, doli Vllaznia, që u përball në turin e dytë të Kupës UEFA me Napolin e Serisë A. Në të dy takimet, Vllaznia humbi 3-0 në Shkodër dhe 5-0 në Napoli.
* * *
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u nis në mesditë në Pekin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, përshëndeti dhe u uroi 11 sportistëve shqiptarë suksese në këtë garë madhështore. Ky është dhe delegacioni më i madh olimpik i shqiptar.
* * *
Shqipëria U-21 regjistroi një barazim të çmuar 1-1 me Greqinë edhe pse pati në fund të gjitha mundësitë për ta fituar takimin e marrë revanshin e asaj humbje në Athinë 2-1 vitin e kaluar.
* * *
Shqipëria fitoi 2-0 ndeshjen miqësore me Lihteshtejnin. Golat u shënuan nga Jahmir Hyka, pas vetëm 46 sekondash lojë dhe Edmond Kapllani.
* * *
QPR, Kuins Park Rejnxhërs, klubi britanik i Flavio Briatores, lëshoi sërish sinjale për Erion Bogdanin, ndërkohë që Bari duket se ka hequr dorë nga sulmuesi i Kievos.

SHTATOR 2008
Shqipëria barazoi 0-0 me Suedinë në ndeshjen e parë zyrtare të eliminatoreve të Kampionatit Botëror. Një start i suksesshëm i Kombëtares. I katërti rezultat pozitiv rresht në ballafaqimin e parë ndërkombëtar; dy për eliminatoret e Euro 2008 (1-1 me Zvicrën, 2002; 2-2 me Bjellorusinë, 2006) e dy për Kampionatet Botërore (2-1 me Greqinë, 2004; 0-0 me Suedinë, 0-0).
* * *
Shqipëria fiton me Maltën 3-0. Është fitorja e tretë rresht me shifrat 3-0, edhe pse kjo e së mërkurës është e para në një ndeshje zyrtare. Bogdani në limitin e fundit të pjesës së parë (goli i tij i tretë personal kundër Maltës), Duro pesë minuta para përfundimit (goli i tij i dytë kundër maltezëve) dhe Dallku në minutën e 90-të (në të parin gol të tij historik) i dhuruan një fillim fantastik Shqipërisë, që në dy ndeshjet e para, pasi mori një pikë të madhe ndaj Suedisë, nuk mund ta falte kurrsesi Maltën modeste.
* * *
Transferimi i Lorik Canës nga Paris Sën Zhërmeni te Olimpiku i Marsejës në gusht të vitit 2005, prej disa vitesh ka qenë në fokusin e drejtësisë franceze dhe hetuesve. Gazeta “La Provance” pohoi faktin se hetimet në lidhje me ndërkombëtarin shqiptar tashmë kanë përfunduar.
* * *
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shpreh optimist për një pjesëmarrje të mundshme të Shqipërisë në Euro 2016. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi që në Kampionatin Europian të atij viti e më pas të marrin pjesë 24 skuadra përfaqësuese. “Unë them se kemi më shumë shanse”, - u shpreh për mediat Duka, - “nuk po them se do të kualifikohemi. Gjithsesi, shpresoj te surprizat edhe para Euro 2006-s”.
* * *
Sfida e parë midis dy trajnerëve kroatë, Slishkoviç i Tiranës e Kovaçiç i Flamurtarit, u fitua nga tekniku i bardhebluve 3-1, por futbollisti i artë i ndeshjes ishte Migen Memelli, i cili realizoi të tre golat e rekordmenëve shqiptarë, duke u shndërruar në një “Indrit Fortuzi” të ri për 23-herë kampionët.

TETOR 2008

Dy fitues të “Topit të artë”, ukrainasi Shevçenko e braziliani Ronaldinjo. Në superlistën kuqezi janë edhe tre kampionë bote me Italinë: Alesandro Nesta, Filipo Inzagi e Andrea Pirlo, por dhe dy kampionë bote me Brazilin, Ronaldinjo e Dida. Vjen i vetmi lojtar në botë, i cili ka mundur të fitojë tre trofe të Ligës së Kampioneve me tri skuadra të ndryshme, holandezi Klarens Sedorf. Kryegolashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kompeticionet ndërkombëtare: Filipo Inzagi, lojtari me shumë prezenca te Milani e në kampionatin e Serisë A: kapiteni Paolo Maldini. Milani, klubi me më shumë trofe në botë, do të jetë përballë 23-herë kampioneve të Shqipërisë, Tiranës në trofeun “Taçi Oil Albania Reads”. Tirana fitoi 2-1 kundër Milanit, me gola të Xhafës dhe Muzakës. Për Milanin shënoi Ronaldinjo.
* * *
Shqipëria humbi 2-0 me Hungarinë në ndeshjen e tretë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror të Futbollit. Takimi u luajt në Budapest. Kjo ishte dhe humbja e parë e përfaqësueses sonë.
* * *
“Little Portugal” (Portugalia e vogël). Ky ishte titulli i gazetës portugeze “The Portugal News”, pas barazimit 0-0 të kombëtares portugeze të futbollit kundër Shqipërisë. Pakënaqësia për rezultatet e tri ndeshjeve të fundit të trajnerit Karlos Keiroz, 2 barazime pa gola e një humbje, është rritur në shtetin iberik.

NËNTOR 2008

Debutim i hidhur për Shpëtim Duron në premierën me skuadrën e kuqe përballë Shkumbinit (0-2) në javën e 9-të të Superligës, duke zbehur totalisht atë fitore tenistike 5-1 në Kupën e Shqipërisë me Tepelenën vetëm tri ditë më parë.
* * *
Qipro në duart e gardianëve shqiptarë. Nga më të mirët që luajnë në Superligën e “Ishullit të Afërditës”. Kosovari Arian Beqaj, prej tre sezonesh ruan portën e Anorthosis (kampione në fuqi), ndërsa tiranasi Isli Hidi, nga fillimi i sezonit 2008-2009, atë të modestëve të Alki Larnaka. Por nëse dy të parët, futbollistë aktualë të Kombëtares shqiptare janë ende në aktivitet, një tjetër legjendë e katërkëndëshit kuqezi, Foto Strakosha - futbollisti shqiptar me më shumë ndeshje ndërkombëtare, 73, transmeton përvojën mëse 20-vjeçare të tij te Apoel Nikosia, skuadër me të cilën luan edhe Altin Haxhi.
* * *
Një Asamble e lyrshme. Pa kartonë të kuq (kundër) e të verdhë (abstenime). Vetëm me jeshilë (pro). Kjo ishte panorama e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Federatës Shqiptarë të Futbollit të zhvilluar në ambientet luksoze të Pallatit të Kongreseve (në pjesën e parë të saj edhe në praninë e Presidentit të UEFA-s, Mishel Platini.

* * *
Platini: “Jo tani Kosovës në UEFA!”. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, u tregua i ashpër dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me mundësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në UEFA dhe FIFA. Dhe këtë deklaratë nuk e bëri nga selia zyrtare e UEFA-s në Nion të Zvicrës, por në Tiranë, gjatë vizitës së parë të një presidenti të qeverisë europiane të Futbollit në Shqipëri.
* * *
Superylli portugez Kristiano Ronaldo është një nga favoritët kryesorë për të fituar trofeun më prestigjioz për një futbollist “Topin e artë”. Gjithsesi, anësori i Mançester Junaitid pranoi se dhe lojtarë të tjerë janë në garë.
* * *
Barazimi spektakolar 3-3 i Anorthosis Famagusta kundër Interit famëmadh ishte një nga surprizat e ndeshjeve të së martës në Ligën e Kampioneve. Portieri shqiptar i skuadrës qipriote, Arian Beqaj, pësoi tre gola në këtë takim, dhe mediat kanë qenë të ndara në lidhje me performancën e tij.
* * *
Shqipëria doli e pathyer nga përballja e katërt me Azerbajxhanin (1-1), në një takim që përfaqësuesja jonë e luajti nga pjesa e dytë me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Elvin Beqirit.

DHJETOR 2008

“Topi” i 53-të i “artë” i përket tashmë portugezit Kristiano Ronaldo. Lajmin e bëri të ditur faqja në internet e revistës prestigjioze franceze “France Football”. Anësori 23-vjeçar i Mançester Junaitid fitoi 446 pikë, duke lënë pas vetes argjentinasin e Barcelonës Lionel Mesin (267 pikë) dhe spanjollin e Liverpulit, Fernando Torres (165 pikë).
* * *
Edmond Kapllani mund të ndryshojë skuadër në merkaton e janarit. Sulmuesi shqiptar, i cili prej një kohe të gjatë nuk është më një lojtar i formacionit bazë te Karslruhe, ndodhet në listën e dëshirave të Nurembergut të Bundesligës së dytë gjermane. Lajmi jepet nga faqja e njohur sportive spox.de.
* * *
49 lojtarë të huaj të mirëpaguar në një kampionat shqiptar i thonë realisht “ndal” në mënyrë të pamëshirshme formimit, zhvillimit dhe shfaqjes së talenteve shqiptarë të futbollit tonë modest. Ja dhe numri i tyre sipas ekipeve:
* * *
Arben Laze, sponsori i Elbasanit, është arrestuar nga policia. Lajmi u bë i ditur nga burime policore. Akuza, trafik i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim. Arben Laze, në radhët e qytetarëve në Elbasan, njihej gjerësisht si sponsor prej afro tetë vjetësh i ekipit të Elbasanit. Aksioner tjetër i Lazes është Gentian Çërraga, pronar i një televizioni lokal në Elbasan.
* * *
Lorik Cana te Interi? Në fakt është thjesht një lajm i zakonshëm në prag të merkatos, por që vjen të paktën nga Franca dhe nga një faqe e besueshme interneti si football.fr. “Intriga” është shumë e thjeshtë. Interi ka një bollëk në vijën e parë dhe po përpiqet të sistemojë Hernan Krespon në Francë, ku të paktën katër ekipe mund të plotësojnë ambiciet e argjentinasit: Marseja, Paris Sën Zhermeni, Monako dhe Lioni.
* * *
“Kam ardhur në Shqipëri para fillimit të vitit për t’u përgatitur gjithçka para Maltës”. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, u tregua si gjithmonë i hapur me median në vizitën e tij të fundit për këtë vit në Shqipëri. “Shpresoj të kemi sa më shumë suksese për 2009-n dhe të fitojmë sa më shumë. Unë e di që është e vështirë, por do të bëjmë maksimumin për të pasur këtë sukses”, - shtoi tekniku i katërt i huaj që drejton Shqipërinë pas viteve 2000 në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›