E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora dhe ngrica asfiksojnë gjithë Shqipërinë



Reshjet e rëna përgjatë 72 orëve kanë bllokuar me dhjetëra fshatra në veri dhe jug të vendit, duke i izoluar, lënë pa energji dhe duke sjellë ndërprerjen e procesit mësimor. Në ndryshim nga informacionet zyrtare, Malësia e Dukagjinit, fshatrat e thella të Kukësit, të Pukës, Tropojës, Dibrës, Korçës dhe Gjirokastrës nuk kanë mundësi që të komunikojnë me akset rrugore kombëtare. Informacionet e dhëna nga Policia e Shtetit nuk përkojnë me ato të emetuara nga drejtoritë e qarqeve. Gjatë ditëve të fundit janë regjistruar defekte në linjat e transmetimit të energjisë, duke lënë në errësirë disa fshatra të thella malore. Një gjë e tillë është raportuar edhe nga drejtuesit e lartë të OSSH-së dhe OST-së në Tiranë.
Situata
Burimet zyrtare të autoriteteve vendore në Shkodër pohojnë se është bllokuar thuajse tërësisht Malësia e Dukagjinit. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut të Shkodrës, Fatbardha Çelepia, “vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët rurale në rrethin e Malësisë së Madhe, Tamarë-Vermosh, Bogë-Thethë, Prekal-Mali i Shoshin, ndërsa në rrethin e Pukës është ndërprerë qarkullimi në akset: Pukë-Qelëz dhe Kryezi-Iballë. Sipas Çelepisë, aksi rrugor Mjedë-Pukë-Fushë Arrës-Qafë Mali-Kukës, Mjedë-Koman, Qafë Mali-Fierzë dhe Ura e Gjolulit-Velipojë janë të kalueshme, por për shkak të dëborës së grirë lëvizja e mjeteve duhet bërë vetëm me zinxhirë”.
E njëjta situatë duket se është edhe në juglindje të vendit, ku raportohet se janë të bllokuara tri komuna të thella malore në Korçë. Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencës në Korçë, të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme. Përsa u përket rrugëve rurale, të bllokuara janë akset: Gurë-Shqipe në Korçë, rruga e fshatit Zejçan në Pogradec dhe rruga turistike në Dardhë. Por ky nuk ka qenë i vetmi problem për qarkun e Korçës; qyteti i Ersekës dhe komuna Mazlik kanë ndenjur plot 12 orë pa energji elektrike. Shkak janë bërë defektet në rrjet dhe në shtyllat e tensionit të lartë. Në qytetin e Korçës trashësia e dëborës është 18 cm, ndërsa në fshatrat malore trashësia ka shkuar në rreth 50 cm.
Raportimet
Burimet zyrtare në Ministrinë e Brendshme pohojnë se gjatë ditës së hënë janë zhbllokuar komunat Shtiqen, Tërthore dhe Surroj në Qarkun e Kukësit, dy komuna në Qarkun e Dibrës si dhe po vijon puna për zhbllokimin e rrugëve që lidhin komunat e tjera me akset rrugore nacionale. Situata mbetet problematike në Shishtavec dhe Topojan në Kukës dhe në Sllovë e Kala të Dodës në Dibër. “Në Qarkun e Dibrës vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat: Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Reç të rrethit të Dibrës, komunat Ostren, Trebisht e Martanesh në rrethin e Bulqizës dhe komunat Xibër dhe Macukull në rrethin e Matit”, - thonë burimet zyrtare nga Zyra e Emergjencave.
Situata është përmirësuar falë edhe një ndryshimit të lehtë të kushteve të motit gjatë mesditës së djeshme. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Brendshme pohon se “të gjitha rrugët nacionale janë të lira e të kalueshme, pa probleme, me përjashtim të disa segmenteve ku është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve”.
Parashikimi
Edhe gjatë ditës së sotme, vendi ynë do të jetë i përfshirë nga temperatura të ulëta dhe ngrica në disa zona. Sipas meteorologëve, në zonat verilindore temperaturat janë më të ulëta se –7 gradë. “Vendi ynë më 6 janar do të vijojë të ndikohet nga vlera normale të presionit atmosferik. Mbi vendin tonë qarkullojnë masa ajrore të ftohta, të qëndrueshme”, - thonë ekspertët e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në Tiranë. Ata pohojnë se “moti do të jetë i kthjellët, me vranësira të pakta, më të theksuara në Verilindje dhe Juglindje. Era do të fryjë me shpejtësi 1-10 m/sek në drejtimin veriperëndim-lindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 3-6 ballë. Që prej datës 30 dhjetor të vitit të kaluar e gjithë Shqipëria është përfshirë nga vala e të ftohtit. Situata është përkeqësuar gjatë tri ditëve të fundit, ku reshjet e dëborës dhe ngricat kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit.

TEMPERATURAT

Tiranë 1 dhe 11
Shkodër 0 dhe 8
Durrës 2 dhe 13
Lezhë -1 dhe 7
Kuçovë 1 dhe 12
Gjirokastër 2 dhe 6
Elbasan 0 dhe 12
Kukës - 6 dhe -2
Peshkopi - 7 dhe -1
Korçë - 3 dhe 0
Vlorë 5 dhe 13
Sarandë 4 dhe 12

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›