Nevoja për para, BSH rrit interesat e bonove të thesarit
Interesat (yeld-i) e bonove të thesarit janë rritur sërish në ankandin e fundit të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë për llogari të Ministrisë së Financave. Një gjë e tillë ushtron presion drejt rritjes së interesave të kredive të bankave të nivelit të dytë, si dhe rritjes së borxhit nominal të qeverisë. Në ankandin e fundit të BSH-së interesat e bonove me afat 1-vjeçar arritën nivelin maksimal 9 për qind, duke u rritur me 0.6 për qind krahasuar me ankandin e dy javëve më parë. Sipas ekspertëve, rritja e interesave të bonove në treg vjen nga dy shkaqe. Së pari, ka të bëjë me kërkesën e lartë të qeverisë për borxhe, që gjeti pasqyrim në faktin se në këtë ankand, shuma e kërkuar nga qeveria ka qenë më e lartë sesa oferta e bankave dhe individëve. Ndërsa shkaku i dytë ka të bëjë me presionin që sjell në tregun e brendshëm financiar, kriza botërore e likuiditeteve. BSH-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi më datën 9 mars për shitje me ankand 19.4 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave dolën për shitje bono thesari me maturim 12 e 6-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Më pas, në ankandin e radhës për shitjen e bonove të Thesarit janë shitur sërish bono me maturim 6 dhe 12-mujor, në vlerën totale 8.9 miliardë lekë. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, gjatë muajit janar 2009 deficiti buxhetor i krijuar ishte 1.8 miliardë lekë, ndërkohë që ishte planifikuar vetëm 3 milionë lekë të reja. Ky deficit rezulton të jetë gati krejtësisht i brendshëm.
18 Mars 2009